“Ekonomia shqiptare është solide dhe ka besimin e tregjeve ndërkombëtare financiare”

Mbledhja e qeverisë, të ardhurat si 4-mujor 10 për qind më të larta, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar
TIRANE - Kreu i qeverisë Sali Berisha u shpreh në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se kreditë e siguruara nga Ministria e Financave janë para së gjithash një besim i madh që tregu financiar ndërkombëtar ka në performancën financiare dhe ekonomike të Shqipërisë. Kryeministri Berisha vlerësoi sigurimin e këtyre kredive, duke theksuar se ato vijnë “në një kohë kur shumë qeveri të tjera nuk sigurojnë dot të tilla kredi”.
Duke iu referuar marrëveshjes së nënshkruar nga Ministri i Financave Ridvan Bode me bankat ndërkombëtare, “Alpha Bank” dhe “Deutsche Bank” prej 250 milionë eurosh për të kredituar qeverinë shqiptare për të financuar nevojat e buxhetit të shtetit për shpenzime kapitale për vitin 2009, Kryeministri Berisha tha se “kjo kredi, e cila pati një rezonim të fuqishëm dje në agjencitë më të mëdha ndërkombëtare, dëshmoi edhe njëherë se ekonomia shqiptare është solide. Natyrisht nuk mund të them se nuk ka pasur ndikime dhe pasoja të krizës, por ajo është solide dhe tregjet financiare ruajnë besim të plotë ndaj saj”.
Duke theksuar se janë edhe një seri kredish të tjera, kryeministri vuri në dukje se kredia e siguruar nga ministria e Financave, në një kohë të një stuhie financiare evropiane dhe botërore, vjen si medalje, për të gjithë ata që i kanë qejf medaljet.
“Unë do të thosha që më shumë vjen si një certifikatë e vërtetë besimi”, vijoi kryeministri.
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha vlerësoi ecurinë e shpejtë të zbatimit të projektit të qeverisë për mbjelljen e ullinjve, duke bërë të ditur se sipas të dhënave, vetëm këtë vit janë mbjellë 2 milionë rrënjë.
Duke iu referuar garës normale midis tregut të lirë dhe sektorit publik në këtë drejtim, Kryeministri tha se tregu ecën me një shpejtësi të pa kapshme.
Të ardhurat 4-mujore 10 për qind më të larta sesa të vitit të kaluar
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme vendimin për kuadrin makroekonomik dhe të treguesve makroekonomik fiskalë, të rishikuar, për periudhën 2010-2013. Kryeministri Berisha vlerësoi se ky është një dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm, për të cilin parashikimet janë se ekonomia shqiptare, me sukses, do t’i rezistojë krizës, ku natyrisht nuk mund të pretendohet që të mos ketë ndikime nga pasojat e saj.
Duke informuar qytetarët shqiptarë, Berisha tha se, të ardhurat katër mujore janë rreth 10 për qind më të larta sesa të vitit të kaluar.
“Pra, jo vetëm që nuk ka rënie të të ardhurave, por ka rritje në raport me vitin më të fuqishëm të rritjes ekonomike që ishte viti 2008”, u shpreh Berisha.
Në këtë drejtim, kryeministri theksoi e vihet re një rënie prej rreth 5 për qind dhe aspak më e madhe e eksporteve në këta 4 muaj.
Ndërkohë, Kryeministri vuri në dukje se nuk ka rënie të importeve, madje ka një rritje të lehtë të tyre, qoftë në tonazh, qoftë në vlerë.
Duke iu referuar qëndrimit të opozitës në këtë drejtim, kryeministri Berisha tha se është jashtëzakonisht e pandershme t’u biesh borive të krizës vetëm e vetëm se të volitet për momentin.
Kryeministri theksoi se ishte shumë e pa pranueshme kërkesa e opozitës për mos rritjen e rrogave dhe pensioneve. Kjo rritje, nënvizoi kryeministri, nuk mund të ndalej, ndërkohë që mundësitë janë.
Kryeministri vlerësoi se ky kuadër makroekonomik është një kuadër objektiv, i cili do ta shtyjë ekonominë shqiptare në mënyrë të qëndrueshme përpara.
Miratohet vendimi për mbrojtjen e veçantë të pronës së gjyqtarëve
Kryeministri Berisha u shpreh dje, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se shteti duhet t’u japë mbrojtje të plotë dhe totale gjykatësve dhe prokurorëve dhe të gjithë atyre që përballen çdo ditë me kthetrat e zeza të krimit. Duke iu referuar vendimit të marrë në mbledhjen e qeverisë “për mbrojtjen e veçantë personale të familjes dhe të pronës së gjyqtarëve dhe për sigurimin e jetës së tyre e të pronës së tyre, kryeministri tha se kjo synon mbrojtjen e plotë nga shteti të gjyqtarëve të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe kjo është një masë shumë e domosdoshme.
Kryeministri vlerësoi edhe nismës më të fundit për krijimin e task - forcave në luftën kundër krimit në 6 rrethe të tjera të vendit, si përhapje e modelit të suksesit të task -forcës së krijuar në kryeqytet.
“Task-Force e krijuar 2 vite më parë, në vitin 2006, krahas sektorit të krimeve të rënda, ka shënuar një kapitull të ri shumë të rëndësishëm në historikun e drejtësisë shqiptare, pasi është pikërisht kjo Task-Force që ia ka dalë në 160 raste të penalizojë zyrtarët për krimin ekonomik dhe korrupsionin”, tha kryeministri.
“Krijimi i këtyre ‘Task-Force’, të drejtuara nga prokurorë, të përbërë nga oficerët e shërbimit sekret, punonjës të policisë kriminale, të doganave, të tatimeve, të Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, të Agjencisë së luftës kundër larjes së parave, e bën veprimtarinë shumë më transparente, shumë më të përgjegjshëm, e bën ligjin të funksionojë në standardet më të mira”, theksoi Kryeministri.