Obama: Shpëtimi i sistemit financiar, arritja kryesore e kësaj administrate
Parandalimi i shkatërrimit të sistemit financiar ishte arritja kryesore e vitit të parë të administratës së Obamës. Kështu ka deklaruar vetë president ii SHBA-së Barak Obama në një intervistë me gazetën "The Washington Post".
Sipas tij shumica e premtimeve që janë bërë janë mbajtur, duke shtuar se kur ato të përmbushen, vendi do të ketë realizuar një ndryshim thelbësor në kujdesin shëndetësor, energji, arsim dhe në sistemin e rregullimit financiar.
Gjithashtu Obama është shprehur shumë entuziast për arritjet në reformën në shëndetësi, si një nga përparësitë e tij kryesore të politikës së brendshme.
Ndërkohë Presidenti Obama ka përmendur edhe arritje të tjera për vitin e parë, përfshirë garantimin e barazisë së rrogave, zgjerimin e kategorive për krimet e urrejtjes dhe garantimin e sigurimeve shëndetësore për 4 milionë fëmijë të tjerë.