E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Udhëtimi me tren, fillim i ri

Uashington -Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, dhe nënpresidenti Xhozef Bajden mbrëmë kanë arritur në Uashington, ku të martën mbahet ceremonia e inaugurimit të tyre në postet më të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Obama dhe Bajden kanë zgjedhur që në Uashington të shkojnë me tren nga Filadelfija, ashtu siç kishte bërë edhe presidenti i 16-të i SHBA-ve, Abraham Linkoln, në vitin 1861. Linkoln mbahet në mend në historinë amerikane si president që hoqi robërinë dhe i dha fund luftës civile.

Gjatë gjithë rrugës, Obama dhe Bajden janë përshëndetur ngrohtësisht nga dhjetëra mijëra qytetarë të Shteteve të Bashkuara. Para nisjes në Filadelfi, Barak Obama i tha masës së tubuar se periudha e ardhshme do të jetë përplot sfida dhe vështirësi.

"Ne jemi të vetëdijshëm se këto sfida kaq të mëdha nuk do të zgjidhen shpejt", ka thënë Obama, para nisjes, për të shtuar: "Do të ketë nisje të gabuara, frustrime dhe zhgënjime. Edhe në këtë kohë të urgjencës do të na duhet durimi".

"Mbase problemet tona janë risi, por ajo që na duhet për t'i tejkaluar, nuk është risi. Na duhet e njëjta këmbëngulësi dhe i njëjti idealizëm që e kanë pasur themeluesit e vendit", ka thënë Obama. "Ky nuk është një udhëtim i rëndomtë me tren. Ky është fillimi i ri", shtoi presidenti i ri amerikan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›