Obama: Zgjedhjet në Irak, arritje historike për vendin
Presidenti amerikan Barack Obama ka deklaruar se zgjedhjet parlamentare të 7 marsit në Irak, ishin një arritje historike për vendin. Irakenët sfiduan sulmet e kryengritësve që lanë 38 të vrarë. Zgjedhjet ishin të dytat kombëtare që nga përmbysja e regjimit të Sadam Huseinit nga forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2003. Rezultatet paraprake do të mundësohen vetëm pas disa ditësh. Presidenti amerikan Barack Obama tha se irakianët hodhën një hap përpara për të ndërtuar vendin e tyre pavarësisht kërcënimeve për dhunë. Ai lavdëroi forcat irakiane të sigurisë për ruajtjen e qendrave të votimit. Kryeministri iraken i sektit shia, Nouri al-Maliki, përballet me kundërshtarë të fortë në garë nga ish aleatët e tyre si dhe sunitë dhe politikanë kurd. Asnjë parti nuk pritet të fitojë shumicën e nevojshme për të krijuar qeverinë ndaj një koalicion është më i mundshëm. Nderkohë që filloi numërimi i votave, presidenti Barak Obama u shfaq para kamerave të televizorit nga Shtëpia e Bardhë për të uruar popullin irakian. Presidenti amerikan tha se pjesëmarrja në votime ishte e madhe, megjithë një numër sulmesh në mbarë vendin që lanë dhjetëra të vdekur. Obama tha se gjakderdhjet ishin puna e al-Kaidës në Irak dhe ekstremistëve të tjerë që ishin të vendosur për të prishur procesin elektoral duke vrarë njerëz të pafajshëm. Por ai tha se dhuna ishte shumë më e vogël nga sa ishte menduar fillimisht. Këto zgjedhje do të përcaktojnë nëse Iraku do të mund të kapërcejë ndarjet sektare, që kanë karakterizuar atë vend që prej ndërhyrjes së koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2003. Rreth 6 mijë e 200 kandidatë konkuruan për 325 vendet e parlamentit të ri. Shumë njerëz i shikojnë këto zgjedhje si një udhëkryq për rrugën që do të zgjedhë Iraku për të ardhmen. Presidenti amerikan theksoi se për hetë të parë në vite, tani janë më pak se 100 mijë trupa amerikane në Irak. Të gjitha forcat luftarake amerikane janë caktuar që të tërhiqen nga Iraku deri nga muaji shtator dhe të gjitha forcat e tjera të mbetura pritet që të lënë Irakun deri nga fundi i vitit që vjen.