E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri akuzat ndaj Bashës

Shpërdorimit të detyrës i janë shtuar nga prokuroria edhe akuza e shkeljes së barazisë në tenderë dhe korrupsionit pasiv

Lulzim Basha, aktualisht ministri i Jashtëm, do të përgjigjet përpara drejtësisë për tri akuza. Burime konfidenciale nga prokuroria thanë dje, se akuzës fillestare, që ka qenë ajo e shpërdorimit të detyrës, i janë shtuar pas përfundimit të hetimeve edhe dy të tjera, që janë ajo e shkeljes së barazisë në tenderë apo ankande publike, e parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal dhe ajo e korrupsionit pasiv, e parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Mendohet se të dyja akuzat e reja që janë shtuar në llogari të Bashës, kanë lidhje me favorizimin që ky i fundit duket se i ka bërë me veprimet e tij gjatë kohës kur ishte ministër i Transportit firmës “Bechtel-Enka”, kundrejt firmës tjetër konkurrente për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, “Strabag”.

Përzgjedhja e konsulentit “Ecorys Group”, e bërë sipas prokurorisë në mënyrë të paligjshme dhe të njëanshme nga Basha, mësohet se është një nga pikat e tjera të rëndësishme që kanë shërbyer për ngritjen e akuzave. Nga hetimi është provuar që në të gjithë rastet që shoqëria “Ecorys Group” ka kontaktuar me autoritetet shqiptare deri në momentin e lidhjes së kontratës, ajo ka komunikuar drejtpërdrejt me Bashën. Në relacionin që shoqëron projektvendimin e paraqitur për miratim në Këshillin e Ministrave, Basha thotë se shoqëria “Ecorys Group” është zgjedhur nga një listë prej pesë shoqërish të sugjeruara nga ekspertë të Bankës Botërore, por nuk ka asnjë dokument apo dëshmi që të provojë se cili ekspert i Bankës Botërore ka bërë sugjerimin, cilat janë shoqëritë e tjera të sugjeruara apo cilat janë ofertat e tyre financiare. Dhe pikërisht nga ky konsulent janë propozuar edhe emrat e anëtarëve të komisionit që do të vlerësonte më pas ofertat e kompanive pjesëmarrëse në tender. Këta anëtarë janë përcaktuar një javë para se të lidhej kontrata me konsulentin, pra praktikisht anëtarët e komisionit ishin zgjedhur që përpara se të propozoheshin.

Reagimi

Pavarësisht kundërshtimit që i ka bërë publikisht avokati i tij mbrojtës, ministri i Jashtëm ka vendosur të respektojë thirrjen e prokurorisë dhe do të jetë në ambientet e organit të akuzës ditën e enjte, në orën 14:00. Sipas avokatit Zef Nikaj, ministri do të njihet aty më konkretisht me akuzat e bëra, dhe më pas do të reagojë ligjërisht. Burime nga prokuroria thanë se fakti që ndaj tij është ngritur një akuzë, i është komunikuar Bashës që me shkresën e dërguar në datë 24 nëntor, ku i kërkohet të paraqitet në prokurori, pikërisht me statusin e të pandehurit. Avokati i ministrit dy ditë më parë kishte lëshuar akuza të forta në drejtim të prokurorisë, e cila sipas tij ka shkelur vendimin e Gjykatës së Tiranës për mbylljen e veprimeve hetimore lidhur me dosjen e rrugës Durrës-Kukës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›