Ndoka dhe Meta ngujohen në grevë urie
Deputetë të LSI dhe të PDK kanë nisur dje në ambientet e Kuvendit grevën e urisë, ashtu siç dhe kishin paralajmëruar më parë. Ndryshe nga sa ishte deklaruar në një letër që disa politikanë, kryesisht deputetë i kishin drejtuar presidentit, në grevë nuk janë Spartak Ngjela, Dashamir Shehi apo dhe Luan Memushi që kishin firmosur letrën drejtuar presidentit.
Megjithatë, numri i demokristianëve të rreshtuar në grevë urie e ka çuar në 12 numrin e atyre që do rrinë pa ngrënë në shenjë proteste. Duke paralajmëruar grevën në Kuvend, kryetari i LSI, Ilir Meta, tha se kjo është një mënyrë për t’i thënë stop revanshit Rama- Berisha. “Duke vlerësuar me shqetësim të thellë dhe përgjegjësi historike përpjekjet antidemokratike, antikombëtare dhe të paprecedent të lidershipit të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të diktuar dhe miratuar një Kod Elektoral, që bie në kundërshtim të hapur me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe shoqërisë demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme;
Duke shprehur në vazhdimësi qëndrimin tonë të qartë dhe pa asnjë ekuivok se binomi Berisha-Rama, pasi dhunoi në mënyrë arrogante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pasi kufizoi rolin e Presidentit të Republikës dhe institucioneve të pavarura e sidomos të sistemit të drejtësisë;
Duke mbështetur me forcë kërkesat e komunitetit ndërkombëtar e në mënyrë të veçantë të BE dhe OSBE-ODIHR, që procesi i hartimit të Kodit Zgjedhor dhe i administrimit të procesit të ardhshëm elektoral të jetë sa më gjithëpërfshirës e aspak përjashtues, sikundër ka ndodhur për fat të keq pas marrëveshjes të paprinciptë Berisha-Rama, për të paracaktuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, nëpërmjet monopolizimit total të procesit të administrimit të zgjedhjeve edhe pse të dyja së bashku, PD e PS, në zgjedhjet e fundit të përgjithshme vendore kanë marrë vetëm 43% të votës popullore;
Duke mos pranuar për asnjë çast që në Shqipëri të instalohet në mënyrë të dhunshme një klikë antidemokratike dhe antikombëtare, e cila synon të eliminojë çdo alternativë të ndryshme politike;
Duke zhvilluar të gjitha përgjegjësitë tona dhe ndërmarrë të gjitha përpjekjet e nevojshme dhe konstruktive me qëllim hartimin e një Kodi Zgjedhor gjithëpërfshirës, të ndershëm dhe garantues për të gjitha palët konkurruese, nëpërmjet paraqitjes të herëpashershme të propozimeve tona konkrete, të cilat nuk u morën kurrë në konsideratë nga dy partitë e vjetra;
Me përgjegjësi politike e kombëtare, jemi të detyruar të shpallim që nga ky moment grevën e urisë, si e vetmja rrugë demokratike e civile që na ka mbetur për t’i thënë ndal revanshit të binomit Berisha-Rama dhe qëllimit të tyre antikombëtar e antidemokratik për shkatërrimin e zgjedhjeve të ardhshme, përmes frikësimit paraprak të votuesve shqiptarë dhe së fundi përmes numërimit stalinist të votave”, - tha Meta.
“Dje, korrupsioni shembi një pallat në Gjirokastër dhe u mori jetën qytetarëve të pafajshëm. Tetë muaj më parë korrupsioni hodhi në erë në Gërdec jetën e dhjetëra qytetarëve e përmes tyre nuk kurseu as fëmijët, duke vrarë ëndrrat e tyre ende pa nisur. Ndaj sot është momenti për t’i dhënë goditjen e parë këtij sistemi të korruptuar që në themelet e tij, duke i dhënë fund së pari korrupsionit elektoral. Vota duhet të bëhet e shenjtë në këtë vend, në mënyrë që askush të mos vdesë më prej korrupsionit”, - vijoi kryetari i LSI.
Ndërsa kryetari i PDK, Nard Ndoka, tha se Berisha po tenton të eliminojë PDK. “Berisha po ndërmerr iniciativën për të eliminuar Partinë Demokristiane që nuk mundi ta shndërrojë në një parti vasale të partisë së tij. Ky është një atentat që iu bëhet zgjedhjeve të lira, demokracisë dhe qytetarëve. Me këtë Kod Zgjedhor, ne do kemi pas zgjedhjeve një parlament të emëruar, institucione të emëruara dhe president të emëruar dhe kjo do ishte një goditje rrënuese për demokracinë dhe Kushtetutën e vendit”, - ka theksuar Ndoka.
Në vijim të fjalës së tij ai iu ka bërë thirrje gjithë deputetëve të djathtë që të bashkohen me nismën e PDK për të hyrë në grevë urie.
“Unë i bëj thirrje deputetëve të qendrës së djathtë t’i thonë ndal kësaj aventure të rrezikshme, ku po e çon vendin Berisha dhe Rama. Në emër të PDK sot shpallim grevën e urisë në mbrojtje të votës së lirë”, - përfundoi Ndoka.
Deputetët në grevë
Ilir Meta, Spartak Braho, Nikollaq Neranxi, Pëllumb Xhufi, Ndre Legisi, Petro Koçi, Nard Ndoka, Ndue Shpani, Frrok Gjini, Ymer Tola, Jak Ndoka
* Dritan Prifti do jetë në grevë dhe në lidhje me jashtë me ndërkombëtarët dhe median