E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia në Gjirokastër, nxirren nga rrënojat trupat e pajetë të tre viktimave

Nga Bledar Lumani

Janë nxjerrë dje nga rrënojat e pallatit të shembur, viktimat e tragjedisë së rëndë që ndodhi mesditën e së dielës në qytetin e Gjirokastër. Parashqevi Zoto, 65 vjeç, Valbona Dalani, 35 vjeç, si dhe vajza e saj 13-vjeçare, janë nxjerrë njëra pas tjetrës nga rrënojat, teksa trupat e tyre të pajetë ndodheshin vetëm pak metra larg njëri-tjetrit. Policia bëri të ditur se trupat e viktimave, me përjashtim të 13-vjeçares, kishin pësuar dëmtime të shumta. Sakaq, ka shkuar në nëntë numri i të arrestuarve si përgjegjës për tragjedinë, teksa dje në prangat e policisë ka përfunduar inxhinieri i shoqërisë “Arti sh.p.k” Gjergji Meçe, ndërsa vazhdojnë kërkimet për arrestimin e bashkëpronarit të kësaj shoqërie, Aristotel Haxhi.

Nxjerrja e trupave

Fillimisht, uniformat blu të policisë dhe zjarrfikësit, rreth orës 10:00 të paradites, kanë mundur që të nxjerrin nga gërmadhat e pallatit të shembur, 65-vjeçaren Parashqevi Zoto. Kjo e fundit është gjendur e pajetë dhe me dëmtime të shumta në trup, teksa vetëm pak më pas, nga kërkimet dhe gërmimet e forcave të policisë, është bërë e mundur nxjerrja në sipërfaqe edhe e trupit të pajetë të 35-vjeçares Valbona Dalani. Ndërkohë, vetëm gjashtë metra nga vendi në të cilin u gjet trupi i pajetë i 35-vjeçares, forcat e shpëtimit mundën që të nxjerrin nga rrënojat edhe trupin e vajzës së viktimës, 13-vjeçaren Anxhela Dalani. Sipas burimeve të policisë, trupi i kësaj të fundit kishte pësuar shumë pak dëmtime, teksa mendohet se ajo ka humbur jetën si pasojë e asfiksimit. Me nxjerrjen e tre viktimave nga rrënojat e pallatit të shembur, forcat e policisë i ndërprenë kërkimet e tyre, teksa janë duke planifikuar shembjen e pjesës së mbetur të pallatit, në mënyrë që të mos shkaktojë dëme të tjera. Sakaq, banorët e pallatit të rrëzuar janë shpërndarë nëpër hotelet dhe konviktet e qytetit të Gjirokastrës, derisa të sistemohen në ambiente të tjera.

Shkon në 9 numri i të arrestuarve

Forcat e Policisë së Gjirokastrës kanë vënë në prangat e tyre gjatë ditës së djeshme edhe të dyshuarin e nëntë për shembjen e pallatit gjatë së dielës. Policia bëri të ditur se bëri të mundur arrestimin e inxhinierit zbatues të kompanisë “Arti sh.p.k.”, Gjergji Meçe, i cili kishte mundur t’i shpëtonte forcave të rendit, duke u fshehur në fshatrat afër kufirit me Greqinë. Meçe është inxhinieri zbatues i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k”, e cila kishte marrë përsipër ndërtimin e pallatit që provokoi shembjen e pallatit të vjetër të lagjes “11 Janari”. Ndërkohë, tashmë në kërkim është i pandehuri i fundit, Aristotel Haxhi, bashkëpronar i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k”. Për këtë ngjarje të rëndë është krijuar grupi hetimor me specialistë të policisë së Gjirokastrës, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së këtij rrethi. Nga veprimet e para hetimore, rezultoi se shembja e pjesshme e pallatit ka ardhur si pasojë e punimeve për ndërtimin e një pallati tetëkatësh, nga shoqëria e ndërtimit “Arti” sh.p.k”, me president dhe drejtues teknik Sotiraq Janora, me seli në Gjirokastër. Ndërkohë, po nga gërmimet për ndërtimin e këtij pallati, rrezikohen të dëmtohen edhe disa banesa të tjera në kufi me objektin në ndërtim.

Përgjegjësit

Shembja e pallatit në Gjirokastër ka çuar deri në tani në prangat e policisë 9 persona, teksa është shpallur në kërkim edhe një i dhjetë. Policia bën të ditur se të prangosurit akuzohen si përgjegjësit kryesorë të tragjedisë së rëndë të ndodhur dy ditë më parë. Mësohet se deri më tani janë marrë në pyetje të gjithë personat e dëmtuar dhe dëshmitarët okularë, si dhe janë shoqëruar 20 persona të dyshuar në lidhje me këtë ngjarje. Nga hetimet paraprake, rezultoi se nga personat e dyshuar për ketë ngjarje, 8 prej tyre kanë konsumuar veprat penale të “Shkeljes së rregullave në punë”. Kështu, mbi bazën e provave, policia ka arrestuar nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, Alfred Mamanin, 49 vjeç, me arsim të lartë, shef i Urbanistikës në Bashkinë e Gjirokastrës, Admir Shehajn, 30 vjeç, përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë Gjirokastër, si dhe Afërdita Papamihalin, 56 vjeç, sekretare e KRRT në Bashkinë e Gjirokastrës. Ndërsa janë arrestuar në flagrancë, nën akuzën e “Shkeljes së rregullave në punë” Jani Ndriço 45 vjeç, ekskavatorist në firmën “Arti Sh.p.k”, Thanas Llahana, 58 vjeç, inxhinieri gjeolog, Njazi Çobani 45 vjeç, arkitekt i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k”, Luan Bufi, 58 vjeç, inxhinier ndërtimi i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k”, Sotiraq Janora, 43 vjeç, president dhe drejtues teknik i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k”. Ndërkohë, dje është arrestuar edhe Gjergji Meçe, inxhinier zbatues i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k”, teksa tashmë pritet edhe prangosja e Aristotel Haxhit, bashkëpronar i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k”. Sipas hetimeve të deritanishme, shembja e pjesshme e pallatit ka ardhur si pasojë e punimeve për ndërtimin e një pallati tetëkatësh nga shoqëria e ndërtimit “Arti sh.p.k”. Nga ana e policisë është bërë sekuestrimi i dokumentacionit të subjektit për pallatin në ndërtim, si dhe janë marrë dokumentet pranë degës së Tatimeve dhe Qendrës së Regjistrimit të Biznesit pranë Bashkisë në Gjirokastër.

Shembja e pallatit, banorët e kishin paralajmëruar

Tragjedia e ndodhur ditën e diel në qytetin e Gjirokastrës ishte paralajmëruar prej kohësh nga banorët e pallatit të shembur. Këta të fundit ishin ankuar disa herë në bashkinë e qytetit, madje kishin nënshkruar edhe një peticion për kreun e kësaj bashkie, Flamur Bimen. Por ankesat e njëpasnjëshme dhe peticionet e banorëve, ashtu siç ndodh rëndom në vendin tonë, kanë shkuar në “vesh të shurdhër”. U desh shembja e një pjesë të mirë të pallatit, ku për pasojë gjetën vdekjen tre persona, mes tyre një fëmijë, për të kuptuar se rreziku që banorët paralajmëruan vlente më shumë sesa nevoja për ndërtime. Tragjedia edhe mund të shmangej, nëse kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, do të kishte marrë në konsideratë peticionin e banorëve të pallatit apo nëse do të zbatoheshin procedurat e domosdoshme në fushën e ndërtimeve.

Leja për ndërtimin e pallatit, inxhinierët e kundërshtuan me forcë

Ndërtimi i pallatit tetëkatësh në qytetin e Gjirokastrës, që solli edhe tragjedinë e rëndë, mësohet se ka hasur në kundërshtime të forta nga ana e inxhinierëve të KRRT së Bashkisë së Gjirokastrës. Kjo, për faktin se ndërtimi i tij rrezikonte shembjen e objekteve që ndodheshin pranë tij, gjë që ndodhi të dielën, me pasojë tre viktima. Mësohet se në kohën e dhënies së lejes së ndërtimit për këtë pallat, gjatë mbledhjes së KRRT së bashkisë, tre prej inxhinierëve, anëtarë të këtij institucioni, e kanë kundërshtuar me forcë lejimin e këtij ndërtimi të ri. Por, gjithsesi, për pallatin është dhënë miratimi dhe pak kohë më parë nisën edhe punimet, që sollën më tej edhe ngjarjen e rëndë. Punimet për ndërtimin e pallatit të ri kanë filluar prej pak kohësh. Mësohet se në muajin gusht, projekti i paraqitur mori miratimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë Gjirokastër. Firma zbatuese “Arti sh.p.k” me drejtues ligjor Sotiraq Janora e drejtues teknik Gjergji Meçe, si dhe konstruktor Luan Bufi, po punonte në momentin kur u shemb pallati. Mendohet se terreni jo i favorshëm dhe gërmimet e vazhdueshme sollën çarjen e tokës në një sipërfaqe të madhe dhe më tej edhe rrëzimin e pallatit, që ndodhej në majë të një kodre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›