E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama distancohet nga Bushi

Administrata amerikane bëri publik planin e ri për sigurinë kombëtare, doktrinën e re që do t’i bashkëngjitet zotimeve dhe objektivave të deritanishëm diplomatikë dhe disiplinës së re ekonomike, në mënyrë që SHBA-ja të ketë një tjetër imazh në botë.

Në një linjë të qartë ndarëse, edhe pse formale nga epoka e paraardhësit të tij George Bush, presidenti amerikan, Barack Obama, në strategjinë e re bën thirrje për zgjerimin e partneritetit të vendit të tij përtej aleatëve tradicionalë të deritanishëm.

Këtu, ai ka nënkuptuar vende që janë shndërruar në fuqi reale, si Kina dhe India. Qëllimi i këtyre aleancave është ndarja e barrës së problemeve ndërkombëtare.

Përballja me një ekonomi problematike e në krizë dhe shënimi i një rekordi të deficitin buxhetor, ka bërë që administrata ta cilësojë forcimin ekonomik të vendit si shumë parësor edhe në çështjen e sigurisë kombëtare.

“Në qendër të përpjekjeve është zotimi për të rimëkëmbur ekonominë, që është edhe njëra nga burimet e forcës dhe fuqisë së SHBA-së ”, thuhet në dokumentin e prezantuar nga Obama.

Kjo është deklarata e parë e plotë dhe e formuluar në hollësi e Obamës për objektivat e sigurisë kombëtare dhe në të thuhet qartë se politika e ndjekur nga Bush në luftën kundër terrorizmit i shkaktoi dëm reputacionit të SHBA-së si dhe probleme në marrëdhëniet me disa nga aleatët e saj më të mirë.

Dokumenti përmes parashtrimit të një vizioni për ruajtjen e sigurisë së Amerikës, ndërsa vazhdojnë situatat jo të mira në Irak dhe Afganistan, nënvizon nevojën e madhe për një zhvillim të diplomacisë shumëpalëshe që duhet të jetë primare dhe të zëvendësojë përdorimin e forcës ushtarake.

Administrata rithekson qëllimin e Obamës dhe vendosmërinë për të vazhduar në rrugën e dialogut edhe me ata që konsiderohen si “shtete armike”, por nga ana tjetër, angazhohet edhe për izolimin e këtyre të fundit, në rast se ata do të kundërshtojnë normat ndërkombëtare.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare, e cila përpilohet nga çdo president, shpesh është një rikonfirmim i qëndrimeve që ndiqen, por është e rëndësishme sepse mund të ndikojë në shpenzime të ndryshme në buxhet, apo edhe në ndërmarrjen e iniciativave ligjore të caktuara, që janë procedura që ndiqen nga afër nga faktori ndërkombëtar.
Obama, i cili mori detyrën në një periudhë kur vendi po përballej me krizën më të rëndë financiare që nga viti 1930, ka mbajtur një qëndrim të prerë dhe të qartë në krahasim me gjithë paraardhësit e tij, për sa i përket lidhjes që ka situata ekonomike brenda vendit me imazhin e SHBA-së në botë.

“Ne duhet që të rinovojmë themelin dhe bazën e fuqisë së Amerikës, përmes rivendosjes së vendit në një udhë të mbarë ekonomike dhe përmes zvogëlimit të varësisë ndaj naftës dhe karburanteve të tjera”, theksoi Obama.

Bush, fjalimin e tij të parë për çështjet e sigurisë kombëtare në vitin 2002, e përdori për të nënvizuar të drejtën që i dha vetes në lidhje me përdorimin e të ashtuquajturit “sulm parandalues” kundër vendeve terroriste që kërcënonin sigurinë e vendit.

Kjo ndodhi pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001. Për sa i përket planit të Obamës, ai dukshëm është i distancuar nga retorika dhe doktrina e paraardhësit të tij, që karakterizoi edhe periudhën para sulmit amerikan ndaj Irakut.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›