E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama e Karzai zotohen për bashkëpunim

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe homologu i tij afgan, Hamid Karzai, folën për një front të bashkuar mes dy vendeve, duke thënë se janë të angazhuar për një partneritet strategjik afatgjatë.

Pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama tha se të dyja palët janë të angazhuara për krijimin e një Afganistani të sigurt dhe të qëndrueshëm.

Presidenti afgan Karzai, pa përmendur akuzat për korrupsion në administratën e tij, pranoi se në Afganistan ekzistojnë çështje shqetësuese si dhe të meta.

Bisedimet Obama-Karzai u përqendruan në luftën kundër Al Qaidës dhe grupeve të tjera ekstremiste, krijimin e forcave afgane dhe përforcimin e qeverisjes afgane.

Vizita e Karzait dhe e një numri ministrash të kabinetit të tij ka pasur për qëllim që të kapërcehen mosmarrëveshjet mes SHBA-së dhe Afganistanit, të cilat mund të dobësojnë përpjekjet e përbashkëta kundër terrorizmit.

Duke iu referuar atyre që i cilësoi si tendosje të marra me mend, Presidenti Obama tha se disa prej këtyre tendosjeve u stërmadhuan.

Ai shtoi se të dyja palët janë të angazhuara në arritjen e një objektivi: krijimi i një Afganistani të sigurt dhe të qëndrueshëm.

"Do të ketë zmbrapsje. Herë pas here, qeveritë tona do të kenë mosmarrëveshje për një taktikë të veçantë. Por jam i bindur se ne kemi një strategji të përbashkët dhe të gjerë, një strategji që shpresoj të mund ta finalizojmë në një deklaratë deri në fund të vitit", tha Obama.

Edhe pse nuk u përmend direkt korrupsioni në Afganistan, shqetësim ky i madh i SHBA-së dhe vendeve aleate, Karzai e pranoi se ekzistojnë çështje shqetësuese si dhe të meta në vendin e tij. Bisedimet me Presidentin Obama, tha ai, rezultuan në përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe, që i kanë qëndruar kohës.

"Pika kryesore është se marrëdhëniet tona janë shumë më të forta sot se më parë. Ky është një porosi pozitive, të cilën do t’ia përcjelli popullit afganë”, tha Karzai.

Gazetarët u bënë pyetje të dy udhëheqësve rreth rolit të Pakistanit, lidhjeve mes talebanëve me bazë në Pakistan dhe grupeve të tjera si dhe stabilitetit në Afganistan.

Presidenti Obama tha se është i trimëruar nga bashkëpunimi i qeverisë së Pakistanit dhe shtoi: "Pakistanit do t’i duhet një farë kohe. Edhe kur ekziston vullneti i mirë, duhet të gjehen mënyrat për t’iu kundërvënë me efektivitet ekstremistëve që ekzistojnë në zonat, që nuk janë nën kontrollin e plotë të qeverisë së Islamabadit".
Obama tha se siguria e Afganistanit dhe Pakistanit janë të ndërlidhura. Ai shtoi se sovraniteti i Afganistanit, integriteti territorial, kushtetuta dhe populli afgan duhet të respektohen nga vendet fqinje.

Lidhur me çështjen e ndjeshme të viktimave civile në Afganistan, të dy udhëheqësit tha se ata diskutuan gjatë rreth kësaj çështjeje, ndërkohë që Karzai theksoi se është bërë përparim i konsiderueshëm.

Presidenti Obama shprehu përsëri besimin se SHBA-ja do të fillojë tërheqjen nga Afganistani në korrik të vitit të ardhshëm, por ai theksoi se angazhimi amerikan në Afganistan do të vazhdojë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›