E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Obama është padyshim europian"

Historiani i njohur i Oksfordit shpreh bindjet e veta për rënien e socialdemokratëve në Europë dhe prirjen e elektoratit amerikan për t‘u drejtuar djathtas

Profesor Garton Esh, gjatë kësaj krize ekonomike, më e keqja që prej Depresionit të Madh, votuesit u larguan nga socialdemokratët dhe socialistët gjatë zgjedhjeve për Parlamentin Europian. A nuk ju duket paksa paradoksale?

Besoj se kjo e ka një shpjegim. Së pari duket se votuesit kanë ndjesinë që konservatorët dhe liberalët janë më kompetentë lidhur me politikat ekonomike. Së dyti, po bëhemi dëshmitarë të kthimit te nacionalizmi si reagim ndaj krizës. Dhe kur kjo ndodh, votuesit priren të drejtohen djathtas më shumë se majtas, në disa raste edhe në skajin e djathtë.

E majta e humbi identitetin për shkak të politikanëve si Toni Bler dhe ish-kancelari gjerman, Gerhard Shrëder, të cilët besuan te tregu i lirë dhe braktisën parimet e dikurshme të demokracisë sociale. Mos është kjo arsyeja e disfatës në Europë?

Nuk e besoj. Sidoqoftë, elektorali po e jep votën për një version të demokracisë liberale sociale europiane. Ndoshta një parti që e konsideron veten konservatore, mund të ofrojë një demokraci më të mirë sociale.

Të paktën 15 për qind e Parlamentit të ri Europian përbëhet nga ekstremistë të krahut të djathtë, parti protestuese dhe parti poterexhinjsh. Çdo të thotë kjo për të ardhmen e Europës?

Mashtrojmë veten nëse besojmë se prirja drejt ksenofobisë dhe populizmit kombëtar nuk ekziston më, dhe nuk duhet të habitemi që i shohim këto grupime të forcohen përgjatë krizës së rëndë globale. Duhet të rikthejmë besimin tek ekonomia e tregut, si zgjidhja thelbësore për shtresat e mesme.

Si?

Bashkimi Europian është përpara dy sfidave të brendshme me përmasa madhore. E para: krijimi i hapësirës për punë për pjesën më të madhe të shoqërisë. Dhe e dyta: integrimi i qytetarëve me prindër jo-europianë. Janë të dyja anë të së njëjtës medalje. Në fund të fundit, çfarë po thonë populistët dhe ksenofobët nga Letonia në Portugali, nga Finlanda në Greqi? Po thonë: Jemi në gjendje të rëndë dhe fajin e kanë të tjerët. Që të dyja pjesët e kësaj fjalie duhen adresuar politikisht.

Në Britaninë e Madhe, forca raciste, Partia Kombëtare Britanike, ka fituar për herë të parë dy vende në Parlament.

E njëjta gjë ka ndodhur në Rumani, Finlandë dhe Hungari. Vërehen kudo zhvillime të ngjashme. Deri tani, konservatorët në Britaninë e Madhe ia kishin dalë gjithnjë të neutralizonin ekstremin e djathtë, ashtu si në Gjermani. Tani po dalin në skenë kudo dhe kjo është shqetësuese.

Mos ndoshta suksesi i ekstremistëve djathtistë dhe disfata e së majtës tregojnë gjithashtu edhe rënien e solidaritetit mes votuesve?

Solidariteti është padyshim një vlerë europiane, por vullneti ynë për të treguar solidaritet ka gjithashtu limite, veçanërisht drejt të varfërve, dhe kjo theksohet edhe më shumë kur këta nuk kanë origjinë europiane. Kjo është pjesërisht pasojë e faktit se kemi zhvilluar shtete me sisteme mirëqenieje shoqërore, që është e vështirë të mbahen më këmbë, veçanërisht në kuadrin e kompeticionit global. Integrimi i emigrantëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shembull, është shumë më i lehtë.

Ndërsa europianët rrëshqasin drejt së djathtës, Shtetet e Bashkuara, nën Barak Obamën, po zbulojnë ekonominë e tregut social - duke rrëshqitur kështu majtas.

Së shpejti do jenë më europianë se ne.

Si e shpjegoni këtë?

Gjashtë vite më parë kishim në dorë manifestin e Jurgen Habermasit dhe Zhak Derridës, i shkruar lidhur me diskutimin e krizës në Irak, ku të dy e shihnin Europën nën dritë pozitive në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të vlerave progresive sociale. Në këtë këndvështrim, në kuadrin e sistemit të vlerave, Obama është padyshim europian. Kjo ndodh pasi shtresa e mesme në Shtetet e Bashkuara provoi mbi shpinë brutalitetin dhe padrejtësinë e sistemit anglosakson të tregut të lirë.

Zgjedhjet ishin zgjedhje europiane, e megjithatë Evropa as që hynte fare në të gjithë procesin. Në të vërtetë, zgjedhjet kishin të bënin vetëm me politikat kombëtare. Mos demonstron kjo se në Europë as që mund të bëhet fjalë për bashkim, por në fakt veç për ndarje?

Më pëlqen të them se zgjedhjet e vërteta europiane do të zhvillohen në Gjermani në fund të shtatorit. Zgjedhjet parlamentare gjermane janë padyshim më të rëndësishme për të ardhmen e Bashkimit Europian.

Përse?

Pasi bëhet fjalë për rrugën që do marrë anëtari më i rëndësishëm i Bashkimit Europian, gjë që është më se e dukshme. Kompetencat e Parlamentit Europian janë rritur dhe unë besoj se votuesit e nënvleftësojnë peshën e tij të vërtetë. E megjithatë Bashkimi Europian nuk është demokraci e drejtpërdrejtë, dhe as që ka për t‘u bërë për caqe të afërta kohore. Mendoj se votuesit e nuhasin këtë, dhe lidhur me këtë pikë, sjellja e tyre është krejtësisht racionale.

Kompetencat e Parlamentit Europian janë zgjeruar, pjesërisht me shpresën se diçka e tillë do të rriste pjesëmarrjen në zgjedhje, e megjithatë ishte më e ulët se çdo herë tjetër.

Besoj se pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje nuk do të përmirësohet në të ardhmen e afërt, të paktën deri në çastin kur nuk do jemi të përgatitur të hedhim hapin e madh drejt Shteteve të Bashkuara të Europës dhe drejt demokracisë së drejtpërdrejtë. Thuajse askund në Europë nuk jemi të përgatitur ta bëjmë këtë. Parlamenti do mbetet një pjesë e sistemit europian, por elementet vendimtare do të vazhdojnë të jenë Këshilli i Europës, Këshilli i Ministrave dhe bashkëpunimi mes qeverive të zgjedhura me rrugë demokratike.

A mos tregon mungesa e interesit se Europa politike është shkëputur nga qytetarët e vet?

Unë besoj se projekti europian është viktimë e suksesit të vet në çdo vend. Argumenti pro-europian, duke lënë të gjitha dallimet kombëtare mënjanë, mori të njëjtën formë: rezultatet tona janë të ulëta, por falë Europës, rezultati gjithëpërfshirës do të përmirësohet. Por më pas vjen çasti kur e marrim Europën për të mirëqenë dhe ngrihet pyetja: Cili është qëllimi i kësaj Europe?

Dhe cili është?

Na nevojitet, për shembull, një politikë e jashtme e përbashkët europiane, në mënyrë që të mund të mbrojmë interesat në një botë gjithnjë e më shumë jo-europiane.

Mund të gjejnë ende përdorim fjalët e Kisingerit...

... i cili kërkonte një numër telefoni për të komunikuar me të parin e Europës? Meqë ra fjala, besoj se nuk e tha kurrë atë shprehje. Kemi bërë shumë kërkime në universitet dhe ishte e pamundur të gjenim një burim që e konfirmonte. Në fund i shkrova vetë Kisingerit dhe e pyeta: Ku e thatë këtë? Përgjigjja e tij ishte e mrekullueshme. Më shkroi: "Besoj se duhet ta kem thënë. Vetëm që nuk më bie ndër mend ku dhe kur". Sigurisht, thelbi i asaj batute është i vërtetë. Nga pika e vështrimit të Uashingtonit, Pekinit a Moskës, Europa nuk ekziston si aktore e politikës së jashtme. Dhe duhet të nisim të ekzistojmë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›