E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëndetësia, mes arrestimeve dhe reformës

Autori i Lajmit: red.
Opinioni publik është tronditur nga arrestimi i fundit i një mjeku të njohur kirurg që punonte në spitalin Onkologjik. Nëpër kafene, shqiptarët janë të ndarë: disa flasin se mirë iu bë një mjeku “horr” që u merr para pacientëve. Të tjerë janë më tolerantë, duke u shprehur se ai që u kap me presh në duar është një nga mijërat e mjekëve dhe infermierëve që marrin para nën dorë në shëndetësinë tonë. Pyetja që shqiptarët ngrenë është: Ky arrestim do të kufizojë korrupsionin në shëndetësi, apo thjesht ata që jetojnë me këtë korrupsion do t i bëjë më të kujdesshëm kur do ta kryejnë në të ardhmen? Ndërsa pyetja më sfiduese që vihet përpara ministres Godo: a është korrupsioni e keqja themelore e strukturës dhe sistemit që ajo drejton? Korrupsion ka pasur, ka dhe do të vijojë të ketë. Ka në vendet më të zhvilluara dhe me shtet e praktika fiskale të konsoliduara në shekuj. Është tërësisht e vërtetë se korrupsioni e ka kapur shtetin tonë për brirësh dhe e nduk fort. Prapë se prapë, nuk është duke djegur koka korruptive që ai pakësohet dhe vendi çlirohet nga demoni. Mjafton të shikojmë rastet e ketyre dy kirurgeve të njohur(nje i kapur ne gusht dhe tjetri tani ne nentor te ketij viti) që u arrestuan pasi u kapen në flagrancë duke u marrë para(ose duke i pranuar ato) pacienteve. Jane raste te vetme? Aspak! A i dënoi opinioni ynë publik? Jo dhe aq. Mjekët e tjerë të paktën i konsideruan dy fatkeqe që u kishte rënë një copë shkëmb nga qielli. Pse sa prej këtyre mjekëve bëjnë të njëjtën gjë, marrin para nga pacientët e tyre? Ndoshta 95 përqind e mjekëve. Pra me mijëra mjekë. Kjo është sa e frikshme, aq e vërtetë. Dhe nuk mund t i arrestosh për mitmarrje të gjithë mjekët. Reforma kryhet duke arritur që mjeku të mos shohë xhepat e pacientit. Të mos kapet dhe humbë personalitetin e vet tek dy mijë, pesë mijë, dhjetë mijë apo njëzetmijë lekët që ia ofron pacienti në spitalet e ambulancat publike. Mjekët tanë janë tre kategori: ata të kategorisë së parë janë tejet të maturuar, një pjesë fare të vjetër, që nuk konsultojnë internetin dhe nuk lexojnë apo shohin te rejat e fundit të shkencës mjekësore. Këta mjaftohen me eksperiencën e grumbulluar në vite dhe me receta apo diagnoza formale. Shfrytëzojnë njohuritë e pakta apo zero të pacientit të zakonshëm shqiptar dhe ende qëndrojnë në pozita kyçe e u shërbejnë shumicës së shqiptarëve. Disa kanë edhe klinika private dhe janë kthyer një pjesë në tregtarë të pacipë. Kategoria e dytë janë ata mjekë relativisht të rinj që udhëtojnë nëpër internet, kanë kryer edhe specializime jashtë dhe u intereson karriera profesionale. Mbi këta duhet të mbështetet ministrja e re, nëse kërkon të bëjë reformë. Ata janë ende të paktë për fat të keq, por është pjesa më shpresëdhënëse e mjekësisë sonë. Kategoria e tretë i përket mjekëve shumë të rinj, të prodhuar në seri sidomos në dhjetë pesëmbëdhjetë vitet e fundit të tranzicionit, që fatkeqësisht vetëm emrin e kanë të tillë, pse nuk mbushin fare. Këta tre lloj tipash mbushin armatën e lart nga njëzet mijë mjekëve shqiptarë. Kam mik një mjek dhe më thotë se nuk do të donte kurrë të varej nga xhepat e pacientit. Do të donte t i refuzonte ato lekë. Mirëpo, përveç faktit që ose pacienti fyhet, ose kolegët e tallin ose më keq, e urrejnë që s do të bëhet si ata dhe mund t i ngrejnë kurth, ky mik mjek më thotë edhe se me 350 mijë lekët e vjetra që merr në muaj s ka ku to shkojë dhe është i detyruar t i pranojë lekët e pacientit. Kjo është bërë kronike, e përditshme dhe prej kësaj dilet vetëm me reformën e thellë në sistemin e sigurimeve shëndetësore. Duhet të paguajnë të gjithë shqiptarët me të ardhura të mjaftueshme, për të mirën e sistemit publik shëndetësor. Shteti të përballojë kontributin e familjeve të varfëra që s kanë ç të paguajnë. Kështu është në të gjitha vendet e zhvilluara dhe ku ne aspirojmë të vemi. Kështu duhet të fillojë të jetë edhe tek ne. Kjo është rrugëdalja. Asnjë paketë apo aksion i furishëm kundër korrupsionit nuk mund të zëvendësojë këtë reformë. Mirëpo, a ka më kohë, kur viti 2009, që do vetëm dy muaj të vijë, është një vit zgjedhor dhe ministrat do të angazhohen kokë e këmbë për interesat e partive që i përkasin? Megjithatë, ende mund të bëhën shumë gjëra të mira, me vullnet të fortë e synime te qarta.
Ky lajm është publikuar: 07/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›