E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: i zi, i bardhë apo asnjë prej të dyjave?

Një kapitull i ri e i debatueshëm është hapur në sagën racore të Obamës: shumë njerëz këmbëngulin se "i pari President i zi", në të vërtetë nuk është i tillë. Debati nëse biri i një gruaje të bardhë dhe një keniani të zi duhet quajtur biracor, racë mikse, gjysmë për gjysmë, multiracor - ose siç është shprehur ai vetë "një mutacion" - veç është thelluar që kur fitorja e zgjedhjeve e hodhi vëmendjen tërësisht te Presidenti i ri.
Obama vetë ka thënë: "Unë identifikohem si afro-amerikan - si i tillë jam trajtuar dhe si i tillë e kam konsideruar vetveten". Me fjalë të tjera, bota nuk i la Obamës rrugëzgjidhje tjetër veç të quhej i zi, diçka që e pranonte me kënaqësi. Por bota ka ndryshuar shumë. Martesat ndër-racore dhe dobësimi i racizmit po nxjerrin nga skena përkufizimet e dikurshme. Kandidati Obama, teksa arrinte të pamundurën, u trajtua ndryshe në raport me brezat paraardhës të të zinjve. Dhe janë të shumtë ata që e shohin Presidentin e ri si diçka tjetër nga ajo që e konsideronin të zezë.
Pra, ç‘fat kanë pësuar sot ato kategori racore të lindura në një kohë kur të ardhurit nga larg, qenë prona e jo individë, apo armiq e jo njerëz të afërt? "Këto kategorizime po zhduken", thotë Mart Feivor, profesor i studime afrikane dhe afro-amerikane njëherësh edhe autor i librit "E zeza autentike".
Rebeka Uolker, një shkrimtare 38-vjeçare me lëkurë lehtësisht të errët prejardhja e së cilës është ruse, afrikane, irlandeze, skoceze dhe amerikane, thotë se e përkufizon veten si "humane", gjë që nervozonte njerëzit e të gjitha bekgraundeve racore. Kështu që u detyrua të përdorte termin multiracor ose biracor, por thjesht "prej nevojës për t‘iu përshtatur identifikimeve kulturore të përcaktuara paraprakisht". "Sigurisht, Obama është i zi. Por gjithashtu, nuk është i zi", thotë Uolker. "Është i bardhë, por gjithashtu nuk është i bardhë. Obama është ai që duan të shohin njerëzit tek ai. Është shumë gjëra njëherësh dhe asnjë prej tyre nuk përjashton detyrimisht tjetrën".
Sot, spektri i toneve të ngjyrës mes afro-amerikanëve - qoftë edhe i atyre me të dy prindërit të zinj - është provë e trashëgimisë së forta nga raca e bardhë. Po ashtu, duke qenë se shpesh ndodhte që disa të zinj qenë aq të bardhë sa të merreshin për të tillë, një numër i panjohur familjesh amerikane kanë të fshehur në pemët e tyre gjenealogjike paraardhës të zinj. Në librin "Të zinjtë dhe vendi i tyre në histori", autori Dr. Liroi Voun, madje arrin në atë pikë sa thotë që pesë presidentë amerikanë - Tomas Xheferson, Andrju Xhekson, Abraham Linkoln, Uarren Harding dhe Kalvin Kulixh - kanë pasur paraardhës të zinj, gjë që do ta bënte Obamën të gjashtin President me ngjyrë.
Përzierja në disa shekuj e banorëve në Amerikën shumëracore kërkon teste ADN-je për të zbardhur ngjyrat nga të cilat përbëhen amerikanët sot. Shkrirja mes këtyre racave po i jep sot rezultatet. Ndërkohë që bota nuk qe përballur kurrë më parë me një provë kaq të spikatur sa ç‘është Obama. Dhe me t‘u zgjedhur President rrënjët e këtij lloj konfuzioni u shtrinë shumë më thellë. "Le të mos harrojmë se është jo vetëm Presidenti i parë afro-amerikan, por edhe kandidati i parë biracor. Është rritur vetëm nga e ëma", vërejti një komentator i rrjetit Fox News vetëm shtatë minuta përpara se Obama të shpallej zyrtarisht fitues.
"Nuk kemi Presidentin e parë të zi", tha autori Kristofer Hiçens në emisionin "Newsnight" të rrjetit BBC. "Ai nuk është i zi. Është i zi sa ç‘është edhe i bardhë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›