E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksitë, më të shtrenjta në ditët e festave

Shërbimi taksi në Tiranë më në fund do të standardizohet, përmes përdorimit të taksimetrave. Ndërkohë që, ata të cilët do të duhet të nxjerrin shumë para nga xhepi janë sërish qytetarët, madje edhe kur taksia është e ndaluar, pra në pritje. Një plan i hartuar nga specialistët e Bashkisë së Tiranës në bashkëpunim edhe me Shoqatën e Taksistëve është hartuar posaçërisht për futjen e shërbimit të taksimetrit në llogaritjen e tarifës që duhet paguar. Ky dokument pritet që të marrë formë të prerë ligjore dhe më pas të vihet gjerësisht në zbatim menjëherë sapo të marrë edhe miratimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Mbledhja e radhës së këtij të fundit pritet të zhvillohet më 19 dhjetor, në rast se do të arrihet kuorumi i domosdoshëm i anëtarëve të saj. Nga ana e tij, Këshilli Bashkiak në një mbledhje të mëparshme është shprehur dakord duke e miratuar në parim këtë draft. Megjithatë, shtyrja e tij për një datë të mëvonshme erdhi si pasojë e disa saktësimeve që u mendua t‘i bëheshin këtij dokumenti. Kostot e udhëtimeve, të parashikuara në mënyrë të detajuar në draftin paraprak janë llogaritur në dy mënyra. Do të përdoren tarifat mesatare dhe ato maksimale sipas rekomandimeve, por edhe eksperiencave të vendeve të tjera. Vetë ekspertët që u morën me hartimin e këtij drafti konfirmojnë faktin se për tarifat mesatare në distancën deri në 2 km një pasagjer do të paguajë 300 lekë, ndërsa në rastin kur kjo largësi rritet, do të bëhen llogari të tjera, pasi përveç kësaj tarife do të futen edhe të tjera dytësore, që më pas do të llogariten në çmimin përfundimtar. Bëhet fjalë për thirrjen e taksisë, për të cilën pagesa do të jetë 50 lekë. Ndërsa tarifa për çdo kilometër mbi dy të parët është 90 lekë dhe ajo për kohën e pritjes së taksisë kushton plot 190 lekë. Për rastet kur rezervimi do të kryhet me radiotaksi tarifa do të jetë 60 lekë. Ekspertët në llogaritë e tyre kanë përfshirë dhe komponentët e tarifës mesatare me 7 kilometra, ku koha e pritjes së udhëtarit është 3 minuta, ndërsa pjesa e rezervimit me radio llogaritet me 50%. Pra tarifa e përgjithshme mesatare kap shifrën deri në 805 lekë. Në këtë rast tarifa mesatare për distancën deri në 2 km nuk merret në konsideratë. Koha e shërbimit taksi është nga ora 06.00 e mëngjesit deri në orën 22.00 të mbrëmjes. Është përcaktuar që për ditët e festave dhe ditët e diela, tarifa fillestare të jetë me lartë. Asaj do t‘i shtohet një vlerë prej 5%. Për udhëtimin e mëtejshëm brenda tarifës "A" që është pranë qendrës do të shtohet një vlerë prej 20%, brenda tarifës "B" ose rrugëve dytësore vlera rritet me 10%. Vetëm tarifa "C" thënë ndryshe e periferisë nuk do të ketë rritje. Drejtuesi i autoveturës, në bazë të draftit detyrohet që gjatë gjithë kohës së udhëtimit të përgjigjet për bagazhet e udhëtarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›