Opozita, solidaritet për bluzat e bardha
Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, dhe Kryetarja e Grupit kuvendor të deputetëve socialistë, Valentina Leskaj, kanë vizituar në Spitalin Ushtarak, në orët e mëngjesit të së dielës, mjekun e plagosur, Agron Ylli. Kryetari i Asamblesë Kombëtare Ruçi u shpreh për mediat se është koha për t‘i ofruar mbështetje e solidaritet njerëzor gjithë bluzave të bardha. Goditja e bluzave të bardha po kthehet në një fenomen shumë shqetësues për të gjithë, u shpreh Ruçi, i cili vuri theksin tek fakti se në 6 muaj janë goditur tre mjekë. "Jemi këtu edhe për t‘i ofruar gjithë solidaritetin tonë, moral dhe politik bluzave të bardha, këtyre bluzave të bardha që sa herë si qytetarë e ndiejnë veten në vështirësi shëndetësore, i puthin duart e tyre dhe sa herë shërohemi i nxijmë këto bluza me anatemimet e padrejta që u bëjmë duarve të arta të tyre", theksoi Ruçi. Sakaq, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, vlerësoi se krimet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur, pikërisht ndaj pjesës elitare të mjekësisë shqiptare, demonstrojnë qartë se për hir të papërgjegjshmërisë dhe për hir të lojërave dhe paaftësisë politike, sot është kompromentuar si në asnjë vend të Evropës dhe të botës një raport shumë shekullor midis mjekut, pacientit dhe familjarëve. Sipas tij, kryeministri mjek, për fatkeqësinë e tij, ka zgjedhur instrumentin më të shëmtuar, që të kriminalizojë klasën e mjekëve dhe në këtë fushatë kriminale.