E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama kërkon 708 miliardë dollarë për Pentagonin

Buxheti i Pentagonit dhe dy strategji të rishikuara përbëjnë planin që i kushton prioritet të lartë fitores së luftërave në Irak dhe Afganistan, dhe të qenit i gatshëm për të luftuar dhe fituar çdo konflikt të mundshëm kundër fuqive globale apo rajonale, kundër grupeve terroriste apo konflikteve në hapësirë dhe në internet. Dokumenti gjithashtu kërkon rritjen e aftësive të mbrojtjes nga raketat që sa vijnë e shtohen dhe bëhen më portative, të sigurta dhe objektive, si dhe raketave me rreze të gjatë veprimi, që po ndërtohen apo blihen nga disa vende përfshirë Iranin dhe Korenë e Veriut.

Në një konferencë shtypi të sekretarit të Mbrojtjes, ndërkohë që plani u publikua, Gates tha se synimi i rishikimit të politikave dhe propozimeve të buxhetit është për të mundësuar që ushtria amerikane të fitojë luftërat e tanishme dhe të përgatitet për një të ardhme të rrezikshme dhe të pasigurt.

“Me mendje të freskët kemi parashikuar rreziqet, përcaktuar prioritetet dhe identifikuar kërkesat bazuar në kërcënimet reale të besueshme botërore, skenare dhe kundërshtarëve të mundshëm”, tha ai.

Dokumenti kryesor i publikuar të hënën, Rishikimi i Mbrojtjes Katërvjeçare, është hartuar për të përcaktuar drejtimin e Departamentit të Mbrojtjes për katër vjetët e ardhshëm. Aty theksohet siguria globale që po bëhet gjithnjë e më komplekse, me ç’rast grupet terroriste po marrin në dorë, gjithnjë e më shumë, teknologji vdekjeprurëse dhe të rrezeve të gjata veprimi. Po ashtu theksohet mundësia e shtimit të armëve të shkatërrimit në masë dhe mundësia e çrregullimeve të shkaktuara nga sulmet në internet, si një shqetësim kritik.

Dokumenti gjithashtu thotë se hartuesit e politikave kanë shqetësime në rritje rreth së ashtuquajturës prirje të fuqishme...që mund të shtojnë kompleksitetin e çështjeve të sigurisë, përfshirë shtimin e kërkesave për burime, urbanizim, ndryshimet klimatike, përhapjen e epidemive të reja si dhe tensionet e thella kulturore dhe demografike.
Rishikimi i Mbrojtjes Katërvjeçare thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë aftësi të pakrahasueshme dhe dëshirën për t’i përdorur ato, kur përpjekjet e tjera dështojnë. Por Gates theksoi se plani gjithashtu kërkon më shumë bashkëpunim me Departamentin e Shtetit dhe agjenci të tjera, për të promovuar stabilitet, zgjidhur konflikte dhe ndërtuar kapacitetet e vendeve të tjera për t’u vetëmbrojtur, në mënyrë për të parandaluar luftëra.

“Agjencia jonë dhe Departamenti i Shtetit e shikojnë këtë si një mundësi të re për t’u munduar për të parandaluar zhvillimin e luftërave, në vend të ndërhyrjes pasi ka filluar lufta”, theksoi Gates.

Rishikimi i Mbrojtjes Katërvjeçare thotë se ushtria amerikane duhet të ketë aftësitë për të zhvilluar dy luftëra madhore, çfarë ka qenë kërkesë për disa vite, por gjithashtu duhet të zhvillojë dhe të mbajë aftësinë për të zhvilluar luftëra të vogla, kundër disa armiqve të mundshëm përtej oqeanit, po ashtu edhe të jetë në gjendje të mbrojë vendin dhe të reagojë ndaj fatkeqësive natyrore brenda vendit dhe jashtë. Dokumenti paralajmëron se misionet mund të ndodhin në kombinime të shumëllojshme dhe të paparashikuara. Sekretari Gates i vuri theksin aspektit të paparashikueshmërisë, duke shprehur kërkesën e agjencisë së tij për aftësi të gjera dhe të larmishme.

“Kemi mësuar përmes eksperiencës së dhimbshme se luftërat që marrim pjesë janë rrallë luftëra që ne parashikojmë. Si rezultat, Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për aftësi më të shumta ushtarake, shkathtësi më të madhe përgjatë një spektri të gjerë të konflikteve", tha Gates.

Dokumenti i publikuar të martën, gjithashtu pranon se ushtria amerikane që përbëhet nga ushtarë që marrin pjesë me dëshirë, është vënë në pozitë të vështirë nga luftërat në Irak dhe Afganistan, si dhe angazhimet e tjera globale. Dokumenti bën thirrje për politika dhe shpenzime për të mbështetur trupat, familjet e tyre dhe veteranët e luftërave. (VOA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›