Medvedev, thirrje rusëve të qëndrojnë të fortë përballë krizës ekonomike
Në një fjalim me rastin e një vjetorit të marrjes së drejtimit të Kremlinit, presidenti rus Dimitry Medvedev u bëri thirrje bashkëkombësve të tij "të vazhdojnë të ecin përpara", pavarësisht situatës së vështirë ekonomike. Përmes një fjalimi të publikuar në faqen zyrtare të internetit të Kremlinit, Medvedev pranoi se kriza ekonomike botërore kishte përmbysur disa nga planet e tij.
Rusët po ndjejnë uljen e rrogave, rritjen e papunësisë dhe rënien drastike të vlerës së monedhës së tyre kombëtare, rubla, përballë dollarit amerikan gjatë 12 muajve të parë të presidencës së Medvedevit. "Natyrisht, kriza ka ndryshuar rrënjësisht planet tona, por dua të theksoj se duhet të ecim përpara pavarësisht këtyre vuajtjeve", thuhej në mesazhin e presidentit Medvedev. Ai premtoi gjithashtu se do të luftonte korrupsionin, ndërtonte më shumë shtëpi dhe do të krijonte lehtësira të tjera në transportin ajror. Por, shumica e atyre që reaguan lidhur me videon, që zgjati nëntë minuta, u shprehën negativisht lidhur me punën e presidentit dhe një pjesë e tyre shprehën rezerva lidhur me aftësitë e Medvedevit për të menaxhua krizën. "Na kërkohet që të pajtohemi me krizën, por për sa kohë do të mund të durojmë", shkruante Lyovov Stryakhileva, nga rajoni Chelyabinsk, në komentin e saj lidhur me mesazhin e kreut të Kremlinit. "Ndërsa një pjesë e njerëzve e parashikuan dhe u përgatitën për krizën, shumica u harrua". I përzgjedhur për të zëvendësuar ish-presidentin dhe kryeministrin aktual Vladimir Putin, Medvedev fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar me një diferencë të thellë dhe së bashku me Putinin gëzon një popullaritet të gjerë në vend.