Rusia sqaron mosnjohjen e Kosovës
Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë, ka publikuar një dokument të titulluar Koncepti i Politikës së Jashtme të Federatës Ruse për vitin 2008, ku ndër të tjera jep arsyet e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.
Reagimi i Rusisë ndaj shpalljes unilaterale të pavarësisë së Kosovës, vitin e kaluar, nga shqiptarët etnikë, dhe njohja e saj nga një numër i caktuar shtetesh, bazohet në interesat vetjake nacionale të Moskës dhe domosdoshmërinë e zbatimit të ligjit ndërkombëtar, thuhet ndër të tjera në këtë dokument. Në dokumentin e publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë thuhet se, Moska konfirmon pozicionin se kjo shpallje e pavarësisë paraqet shkelje brutale të sovranitetit të Republikës së Serbisë, Kartës së OKB-së, Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimet e Aktit Final të Helsinkit. Në dokumentin 164-faqesh po ashtu theksohet fakti se, Rusia i paskësh kundërshtuar synimet e SHBA-ve dhe të NATO-s për të përdorur masa të forta kundër serbëve të Kosovës, dhe në këtë mënyrë paskësh ndihmuar në evitimin e destabilizimit të rajonit.