7 Marsi, vlerësohet kontributi i arsimit drejt pavarësisë së lirisë
Arsimtarët e Kosovës, brez pas brezi, kanë qenë në ballë të lëvizjeve tona shekullore për çlirim dhe përparim. Kështu është shprehur kryeministri Hashim Thaçi në një aktivitet të zhvilluar në Universitetin e Prishtinës, me rastin e Ditës së Mësuesit.
"Kjo ditë mbart dy dimensione të pandashme në historinë e shkollës shqipe: përkushtimin për dije dhe sakrificat për liri dhe shtet të pavarur. Historia e rrugëtimit tonë drejt lirisë nuk mund të ketë kuptim pa kontributin e arsimtarëve kosovarë", tha Thaçi. Ai më tej theksoi detyrat dhe sfidat e reja të arsimit kosovar, të cilat kërkojnë përkushtim dhe dije, edhe pas zhvillimeve historike të pavarësisë së Kosovës, të shpallur para më shumë se një viti. "Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i ndërtuar mbi parimet dhe vlerat e demokracisë. Përpara kemi detyra të mëdha të konsolidimit të shtetit dhe zhvillimit ekonomik. Në këtë rrugëtim kemi vetëm një alternativë, alternativën e suksesit", theksoi kryeministri kosovar. Kosova, me më shumë se 500 mijë nxënës dhe studentë, ka festuar Ditën e Mësuesit, 7 Marsin, me një sërë veprimtarish të tjera. Me rastin e kësaj feste të shënuar u hap gjithashtu një ekspozitë fotografike mbi rrugën e mundimshme të arsimit kosovar në periudha të ndryshme kohore.