Clinton njofton një vizitë të afërt të Obamës në Turqi
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, njoftoi në Ankara se presidenti amerikan Barak Obama do të shkonte në Turqi "pas rreth një muaji", vizitë që mendohet të ketë si objektiv kryesor ripërtëritjen e marrëdhënieve mes dy aleatëve, të cilët e kanë treguar veten në çështjen e Irakut.
"Kam një mesazh personal" nga presidenti Barak Obama, deklaroi ajo në një konferencë shtypi me homologun turk Ali Babaçan. "Presidenti Obama do të shkojë për vizitë në Turqi pas rreth një muaji", deklaroi Clinton, e cila mbërriti natën e djeshme në Ankara, etapa e fundit e një turneu tetëditor në Lindjen e Mesme dhe në Europë. Ajo theksoi se kalendari i saktë i kësaj vizite nuk ishte përcaktuar ende dhe se të dy vendet po përgatisnin axhendën e kësaj vizite. "Data e saktë do të njoftohet së afërmi", shtoi ajo. Marrëdhëniet amerikano-turke, të përshkruara si "strategjike" nga të dy palët, kanë patur disa përplasje në kohën e administratës së presidentit George W. Bush, sidomos pas kundërshtimit në vitin 2003 të parlamentit turk për hapjen e një fronti në veri të territorit turk për të pushtuar Irakun.