E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama kërkon rritje e trysnisë ndaj Iranit

Presidenti amerikan, Barack Obama ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojnë të rrisë trysninë ndaj Iranit, për shkak të programit kundërthënës bërthamor të Teheranit.

Në një intervistë për kanalin televiziv amerikan CBS ai tha se Irani po izolohej gjithnjë e më shumë nga bashkësia ndërkombëtare.

Komentet e tij pasuan ato të kryenegociatorit bërthamor të Iranit,
Saeed Jalili, i cili tha në Kinë se fuqitë perëndimore duhet të ndalin kërcënimet ndaj Iranit rreth kësaj çështjeje.

Më herët, presidenti Obama i bëri thirrje të drejtpërdrejtë homologut të tij kinez, Hu Jintao, për të kërkuar nga ai bashkëpunimin mes dy vendeve rreth çështjes së programit bërthamor të Iranit.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se presidentët kishin biseduar në telefon për afro një orë për këtë çështje.

Kina iu ka rezistuar deri tani thirrjeve të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit.

Kina është anëtarja e fundit me të drejtë vetoje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që Shtetet e Bashkuara duan të bëjnë për vete në debatin për sanksionet ndaj Iranit.

Zyrtarët amerikanë thonë se kinezët kanë lënë të kuptohet se janë të gatshëm të diskutojnë edhe për alternativën e sanksioneve të reja ndaj Teheranit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›