Arrestohet shpërndarësi i heroinës
VLORE - Policia e Vlorës arrestoi dje një 36-vjeçar me një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike, heroinë e destinuar për tregun e qytetit. Sipas burimeve, pas survejimit prej disa ditësh të Aleksandër Kaçajt, banues në lagjen “Rilindja” të Vlorës, organizuan operacionin e koduar “Tregu i vetmuar”. Mësohet se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjet një sasi prej 293 gramë heroinë, e cila ishte e ndarë në 65 doza. Pas evidentimit të sasisë së drogës, policia bëri edhe ndalimin e 36- vjeçarit. Sipas policisë, e gjithë sasia dyshohet se ishte për tregun e brendshëm të qytetit. Sektori i antidrogës, në bazë të informacioneve në rrugë operative mbajti në survejim Kaçajn për disa ditë. Ai akuzohet për “prodhim, shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”. q.b