Vdekja e shtatzënës, nën akuzë dy mjekë të Vlorës
Trazhgim Sokolaj
Në gjykatën e Vlorës dy mjeke të maternitetit të këtij qyteti po gjykohen për akuzën e mjekimit të pakujdesshëm me pasojë vdekjen e një gruaje shtatzënë. Pas disa deklarimeve nga të afërmit e viktimës në mediat elektronike, Prokuroria e Vlorës deklaroi dje se ka marrë të pandehura dhe ka dërguar në gjyq mjeket Brunilda Mersini dhe Edlira Papa. Organi i akuzës në Vlorë tha se, veç akuzës së ngritur dhe paraqitjes së mjekeve në bankën e akuzës, i është kërkuar gjykatës heqja e të drejtës së ushtrimit të profesionit për dy të akuzuarat, por togat e zeza kanë vendosur pro vetëm për mjeken Edlira Papa. Sipas Prokurorisë, në gjyqin që po zhvillohet në Vlorë kanë dëshmuar tashmë të afërmit e viktimës, ndërsa pritet që në seancat e ardhshme të vazhdojë procesi. Dosja penale e këtij rasti me nr. 205, bën fjalë për vdekjen e shtetases Darjana Shaka. Ajo ka humbur jetën në maternitetin e ri në Tiranë më 6 mars 2007. Sipas Prokurorisë, ajo ka qenë shtatzënë 20-javëshe në momentin kur u nda nga jeta. Nga hetimet e Prokurorisë është mësuar se pacientja që vdiq është ndjekur nga mjeket gjinekologe Brunilda Mersini dhe Edlira Papa. Prokuroria tha se më 19 shkurt 2007, pacientja ka bërë analizat laboratorike lidhur me gjendjen fizike të saj dhe parametrat e saj kanë qenë në gjendje të mirë. Gjatë vizitave dhe konsultave, mjekja Brunilda Mersini i ka propozuar viktimës që të bënte një analizë të re të quajtur “amniocenteza” (analiza për gjendjen e fëmijës) për të vlerësuar në mënyrë të detajuar gjendjen e fëmijës. Më 3 mars 2007 viktima ka shkuar në spitalin rajonal në Vlorë dhe ka kryer analizën në fjalë, e cila është realizuar nga mjekja Brunilda Mersini. Sipas procedurës, te pacientja është ndërhyrë në placentë për të marrë masën biologjike të nevojshme për ekzaminim. Për këtë arsye është ndërhyrë disa herë, por nuk ka qenë e mundur të merret lënda biologjike. Përfundimisht analiza në fjalë nuk është realizuar dhe për këtë fakt mjekja Brunilda Mersini ka njoftuar pacienten Darjana Shaka. Ajo ka pasur shqetësime të nesërmen e ndërhyrjes dhe për këtë shkak ka lajmëruar në telefon mjeken Brunilda Mersini. “Mjekja i ka rekomanduar të shtrohet në spital dhe pacientja e ka bërë këtë atë ditë. Mjekja e turnit në datën kur viktima është shtruar në spital ka qenë Edlira Papa. Sipas hetimeve paraprake, kjo mjeke nuk ka kryer trajtimin e nevojshëm në raport me gjendjen e pacientes”, tha Prokuroria. Gjendja e pacientes është rënduar, ndërsa më 5 mars 2007 është konstatuar se pacientja nuk kishte fetus. Duke parë gjendjen e rëndë të pacientes është vendosur dërgimi i saj në Tiranë, ku ka mbërritur më 14:30 të 5 marsit 2007, e shoqëruar nga mjekja Brunilda Mersini. Pacientja është shtruar në maternitetin e ri, ku me gjithë përpjekjet e bëra nga personeli mjekësor është ndarë nga jeta në orët e para të 6 marsit 2007.
Denoncimi i mjekëve nga babai i viktimës
TIRANE – Prokuroria tha dje se hetimi për rastin e vdekjes së pacientes shtatzënë Darjana Shaka filloi pas denoncimit të bërë nga babai i saj. “Prokuroria e rrethit gjyqësor Vlorë, mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Luftar Shaka, ka regjistruar procedimin penal nr. 205, datë 28 mars 2007, aktet e të cilit bëjnë fjalë për veprën penale të ‘mjekimit të pakujdesshëm kur ka shkaktuar vdekjen e personit’”, tha dje Prokuroria. Sipas saj, hetimi është filluar në ngarkim të mjekeve Brunilda Mersini, Edlira Papa, Tone Serjanaj dhe Remzi Haxhiraj. Pas hetimeve të nevojshme për këtë ngjarje, Prokuroria ka vendosur më 21 korrik 2008 të dërgojë për gjykim dosjen penale me akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm kur ka shkaktuar vdekjen” ndaj dy mjekeve të dyshuara, asaj që ka ndjekur shtatzëninë e viktimës dhe mjekes që shërbente roje në momentin kur gjendja e shtatzënës u përkeqësua.