E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama lancoi spotin e parë elektoral

Një vit para ditë së zgjedhjeve për Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan, Barack Obama, ka shpërndarë spotin e parë të tij elektoral.

Në spot gjithçka nis me fjalimin e tre viteve më parë në Chicago, menjëherë pasi ai u zgjodh si presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara.

“Nuk do ta harroj kurrë se kujt i përket kjo fitore, ju përket juve”, tha atë mbrëmje Obama, para qindra mijëra mbështetësve të mbledhur për ta dëgjuar.

Në të njëjtin fjalim, ai u shpreh gjithashtu se punët që e prisnin për tu bërë ishin të shumta.

Presidenti Obama ka regjistruar së fundmi një ngritje të popullaritetit të tij në sondazhe.

Një anketë e zhvilluar pak ditë më parë nga kompania "Ipsos", tregonte se 49 për qind e amerikanëve, dy pikë më shumë krahasuar me muajin tetor, vlerësojnë se Obama po bën një punë të mirë.

Ndërsa kuota e amerikanëve që nuk bien dakord me politikën e ndjekur nga shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk ka lëvizur nga shifra prej 50 për qind.

I njëjti sondazh sugjeron se presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara do të fitonte kundër të gjithë kandidatëve republikanë, me përjashtim të Mitt Romney, me të cilin po zhvillon një duel kokë më kokë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›