E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiri i Gjeneralit. Mashtrimi me pronat në Golem, arrest shtëpie për 4 zyrtarë

Akuza: Tjetërsuan me anë të falsifikimit një sipërfaqe toke. Masa u dha pak ditë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës

Laureta Rryçi
Tiranë – Dosjes së Gjirit të Gjeneralit i janë shtuar zyrtarisht të pandehurit e parë. Pas hetimit nga prokurorët e Task-Forcës së Tiranës, tashmë për katër zyrtarë prokuroria jo vetëm ka ngritur akuzë zyrtare, por i kërkoi gjykatës të vendoste ndaj tyre edhe masë sigurie. Deri dje ata hetoheshin në gjendje të lirë. Gjykata e Tiranës ka vendosur vetëm pak ditë më parë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për katër zyrtarët mbi të cilët rëndon akuza e tjetërsimit të pronës. Ali Aliaj, në detyrën e përgjegjësit të sektorit juridik të ZRKKP-së Tiranë. Petrit Kullolli, në detyrën e specialistit pranë ZRKKP-së Tiranë. Fatos Gjuzi, ish-kryeregjistruesi i Kavajës dhe Gjegji Hyso me detyrë avokat.
Masa e sigurisë
Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur se Seksioni Kundër Korrupsionit pranë Drejtorisë së Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimit Financiar, kanë kryer ekzekutimin e vendimeve penale të Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” për Gjergji Hyson, 53 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, i padënuar; Ali Aliajn, 58 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, i padënuar; Petrit Kullollin, 53 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, i padënuar; Fatos Gjuzin, 45 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë, me arsim të lartë, i padënuar. Sipas burimeve të policisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri - tjetrin, kanë tjetërsuar në mënyrë të kundërligjshme një sipërfaqe toke në zonën e Golemit, Kavajë. Hetimet ndaj tyre janë kryer në kuadër të procedimit penal të vitit 2008, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, “falsifikim i dokumenteve nga personat që kanë për detyrë lëshimin e tyre” dhe “mashtrimit me pasoja të rënda, mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”.
Abuzimi
Njësia e Task-Forcës pranë Prokurorisë së Tiranës, prej disa muajsh po heton për abuzimet me tokat në Gjirin e Gjeneralit të plazhit të Kavajës. Dosja, që duket do të përfshijë edhe zyrtarë të tjerë në hetim, ende nuk është bërë gati për t’u dërguar në gjykatë për gjykim. Katër masat e sigurisë “arrest në shtëpi” mësohet se do të pasohen me të tjera masa sigurie për personat që dyshohen se janë bashkëpunëtorë në tjetërsimin e kësaj prone. Sipas Prokurorisë, ka qenë një banor i zonës që ka bërë denoncimin për tjetërsimin e pronës që po bëhej në mënyrë zyrtare, duke kaluar nëpër shumë firma për të marrë formën e prerë.

Të pandehurit

Gjergji Pirro Hyso, 53 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, i padënuar.
Ali Rustem Aliaj, 58 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë me arsim të lartë, i padënuar.
Petrit Kasëm Kullolli, 53 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, i padënuar.
Fatos Xhevdet Gjuzi, 45 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë, me arsim të lartë, i padënuar.

12 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›