Obama merr çmimin “Nobel” për Paqen 2009, Presidenti Topi i dërgon mesazh urimi
Komiteti i Oslos ka vendosur që të nderojë me çmimin “Nobel” Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili ndodhet në krye të Shtëpisë së Bardhë për më pak se një vit. Motivacioni lidhet me përpjekjet për dialog, treguar fuqishëm nga Obama në fillim të mandatit të tij. Kreu i SHBA-ve ka treguar impenjim të jashtëzakonshëm për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes popujve. Pluse për zgjedhjen e Obamës mes kandidatëve të tjerë janë bërë edhe apelet e vazhdueshme për reduktim të arsenaleve bërthamore dhe impenjimet e tij për paqen në botë. Obama ka kërkuar çarmatimin bërthamor dhe po punon që prej nisjes së mandatit të tij për çështjen në Lindjen e Mesme. Vendimi për dhënien e çmimit presidentit të parë me ngjyrë në Shtëpinë e Bardhë është marrë në unanimitet nga anëtarët e Komisionit. Presidenti amerikan, Barak Obama, ka deklaruar se ndihet i nderuar dhe se e pranon me përulje çmimin “Nobel” për Paqen. Shefi i Shtëpisë së Bardhë është shprehur se e vlerëson marrjen e çmimit prestigjioz si një thirrje për veprim, për të bashkëpunuar me vendet e tjera të botës në zgjidhjen e problemeve te shekullit të 21-të. Buzagaz, Obama u tha gazetarëve të mbledhur në Shtëpinë e Bardhë se ai nuk ishte i sigurt nëse kishte bërë aq sa duhet për ta fituar atë çmim, apo nëse e meritonte për të qenë mes atyre që e kanë fituar më parë. “Unë do ta pranoj këtë çmim si një thirrje për veprim, një thirrje për të gjitha kombet për t’u përballur me sfidat e shekullit XXI”, - është shprehur Obama. Ndërkaq, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, i ka dërguar dje një mesazh urimi presidentit Obama me rastin e dhënies së këtij çmimi. ”Kam nderin t’Ju dërgoj, në emrin tim dhe në emrin e popullit shqiptar, urimet e sinqerta dhe përgëzimet më të mëdha me këtë rast të veçantë për Ju dhe kombin e madh amerikan. Vlerësimi i figurës, kontributit e përkushtimit tuaj për të përhapur paqen, për të luftuar varfërinë, për të ndaluar luftën, për të ndërtuar mirëqenien, për të mbjellë harmoninë dhe për të ringjallur shpresën dhe besimin në emër të drejtësisë, lirisë dhe të një bote më të begatë, është shembulli se si guximi dhe vullneti mund të kthehen në sukses dhe në vlerë kombëtare e botërore. Unë dhe i gjithë populli shqiptar bëhemi pjesë e gëzimit të kombit tuaj dhe pjesë e vlerësimit që Komiteti i posaçëm Ndërkombëtar i çmimit ‘Nobel’ pati për Ju duke Ju kurorëzuar me çmimin ‘Nobel’ për Paqen”, - shkruan presidenti Topi.
10 Tetor 2009