E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Asambleja Kombëtare do të vendosë për bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme



Shaban Sulçe
Partia Socialiste është shumë pranë bojkotimit të zgjedhjeve të pjesshme lokale të 15 nëntorit. Kreu i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar se forca më e madhe e opozitës po shikon mundësinë e mospjesëmarrjes në këtë proces zgjedhor, por gjithsesi, do të jetë Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ajo që do të marrë vendimin final. Propozimi për bojkotimin e zgjedhjeve do t’i përcillet Asamblesë nga kryetari i PS-së, Edi Rama, brenda pak ditëve. Më pas, forumi i lartë vendimmarrës i PS-së do të mblidhet për të diskutuar dhe për të vendosur përfundimisht në lidhje me pjesëmarrjen ose jo të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 15 nëntorit.

Zgjedhjet

Zgjedhjet e pjesshme lokale do të zhvillohen në datën 15 nëntor, datë e dekretuar pak ditë më parë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ato do të zhvillohen në pesë njësi vendore, pasi ish-drejtuesit e tyre dhanë dorëheqjen, për shkak se kandiduan për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kështu, procesi zgjedhor do të zhvillohet në komunën Otllak, në bashkitë Fushë-Arrëz, Klos dhe Fierzë, si dhe në Njësinë Bashkiake Nr. 10 në Tiranë. Por partia më e madhe e opozitës do të refuzojë të marrë pjesë në përballjen e parë elektorale të pas 28 qershorit, si shenjë proteste ndaj qëndrimit dhe vendimit të maxhorancës për të mos hapur kutitë e zgjedhjeve dhe për të mos ofruar transparencën e kërkuar. Pritet që një vendim të ngjashëm të marrin edhe 4 partitë aleate të PS-së, të koalicionit “Bashkimi për ndryshim”. Një gjë e tillë do të bënte që në zgjedhjet lokale të pjesshme të paraqiteshin vetëm kandidatë nga maxhoranca. Bojkoti u paralajmërua pak ditë më parë nga kryesocialisti Edi Rama, i cili gjatë një interviste televizive tha: “Ende nuk kemi marrë vendim për këtë, por besoj se logjika e gjërave na çon se nuk na ha mendja se do të jemi”. Ndërkaq, KQZ-ja ka vendosur afatet ligjore për regjistrimin e partive për pjesëmarrjen në këto zgjedhje. Sipas vendimit të KQZ-së, koalicionet që duan të konkurrojnë në këtë proces zgjedhor kanë afat deri më 15 tetor për t’u regjistruar, ndërkohë që afati për kandidatët është vendosur deri më 18 tetor. Përsa u përket propozimeve të partive për anëtarët e komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur si afat datën 12 tetor. Brenda këtyre datave do të jetë Asambleja Kombëtare ajo që do të vendosë zyrtarisht pjesëmarrjen apo bojkotin e PS-së në zgjedhjet e pjesshme lokale.

Asambleja

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste u kthye në një arenë të ashpër përplasjesh brenda radhëve të Partisë Socialiste në muajin korrik. Shkak për këtë ka qenë vendimi për bojkotin e Kuvendit nga ana e PS-së, si shenjë proteste ndaj manipulimeve dhe deformimeve të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në mbledhjen e korrikut të Asamblesë Kombëtare, një numër i konsiderueshëm figurash të PS-së, deputetë dhe ish-deputetë, por dhe anëtarë forumesh, kundërshtuan idenë e bojkotit, ndërkohë që paraqitën edhe një platformë në Asamble, duke kërkuar ndryshimet statutore dhe moskandidimin e kryetarit Edi Rama. Por kjo platformë propozimesh, e cila u paraqit nga ana e deputetit dhe anëtarit të Kryesisë, Ben Blushi, u rrëzua me shumicë votash nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Vendimi për bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme nga ana e PS-së pritet të sjellë sërish përplasje në Asamblenë Kombëtare. Deputetët dhe drejtuesit që janë kundër bojkotit tashmë janë organizuar duke krijuar Lëvizjen për Mendim Ndryshe në PS. Ata pritet t’i kundërvihen propozimit të Ramës për bojkotimin e zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit.

10 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›