E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vito Clemente, nga japonezët e heshtur, te shqiptarët e “nxehtë”

 

ALMA MILE

Nuk i duhen më shumë se 30 sekonda për të kuptuar sfidën që e pret. Me orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit u ndie menjëherë mirë. Bën ca ftohtë në sallë, por niveli shkon gjithnjë në rritje. Vito Clemente është nga ata dirigjentë, që kanë arritur të spikasin në profesionin e tyre vetëm me një durim të jashtëzakonshëm. Asnjë muzikant në familje, një nisje rastësore, një sfidë e fituar e në fund 6 diploma të shkëlqyera konservatori. Ka ardhur në Tiranë për të drejtuar operën “Andrea Chenier”, e cila ka premierën në 4 prill. Ndërkaq dirigjon në skena evropiane, në Amerikë e më së shumti në Japoni, ku i duket vetja një drejtues i çmendur “Ferrari”.
Hera e parë që “Andrea Chenier” vjen në Tiranë, ç’e bën të veçantë këtë vepër?
Është një operë tepër e njohur në Evropë, sidomos në Itali, një nga përfaqësueset e verizmit. Përveç veprave të Puçinit, “Andrea Chenier” është një vepër me fat. Është vepër e pasioneve të mëdha dhe historia e saj vendoset gjatë Revolucionit Francez, por mund të ishte e vendosur në çdo lloj revolucioni. Treshja soprano-tenor-bariton, është ndryshe. Baritoni nuk është si rëndom “negativi”, por një person që kërkon të ndihmojë dy heronjtë. Është një histori tragjike pasioni, sepse në fund Madalena vendos të vdesë me Chenier. Interesante është loja e nuancave brenda operës. “Andrea Chenir” është një nga ato vepra ku thyerja në muzikë është thelbësore. Ka shumë variacion, sepse liria është pika finale dhe nuk është e thjeshtë të arrihet. Nuk është e thjeshtë nga ana instrumentale, por edhe në skenë nga ana vokale, sidomos në tre rolet kryesore, të Madalenës, Andreas dhe Gerardit, që kërkojnë interpretues të shkëlqyer.
Thatë se është një vepër e vështirë, si po shkon puna me orkestrën?
Jam gjendur menjëherë mirë me të. Por jo vetëm me orkestrën. Ajo që më bën shumë përshtypje është mikpritja dhe gatishmëria për të punuar. Pavarësisht se është një operë e vështirë kemi punuar shumë, me ashpërsi, por edhe me buzëqeshje. Unë e them gjithnjë që nuk duhet të bëjmë gjëra fantastike, por më të mirën e mundshme. E duke qenë se kjo nuk ka kufi, kërkoj më shumë sidomos në drejtim të tingullit, elegancës, kontrasteve. Nuk më intereson që gjërat të jenë thjesht të sakta. Në këtë pikë jemi me fat sepse kemi disa zëra që janë jashtë të zakonshmes, të nivelin ndërkombëtar.
Si e vlerësoni nivelin e tyre?
Pavarësisht se në sallë është gjithnjë ftohtë dhe për disa vegla muzikore është e vështirë për intonacionin, puna vjen gjithnjë e në përmirësim. Niveli është absolutisht profesional, sepse kemi të bëjmë me një teatër evropian. Gjëja që më pëlqen gjithnjë e më shumë, është të shkuarit në detaje, kërkimi i vazhdueshëm i nuancave, ngjyrave, aromës dhe puna në këtë drejtim ka shkuar shumë mirë. Dhe kam parë buzëqeshje tek instrumentistët.
Kolegët tuaj, të huaj janë shprehur se janë të padisiplinuar...
Kam drejtuar në Evropë, Amerikë dhe Japoni. Është e sigurtë që në Japoni gjërat funksionojnë ndryshe. Kur nis të flasësh menjëherë ndjen një heshtje varri. Askush nuk flet. Por është e udhës që dirigjenti të dijë se cila është situata. Ka raste që orkestrantët bëjnë zhurmë sepse janë të pavëmendshëm, të lodhur, por edhe sepse duan të ndihmojnë. Çdo orkestër do që të luajë mirë. Askush nuk do që të turpërohet, madje është krenari të luash në një sallë të tillë. Dirigjenti nuk është një profesor, sigurisht që gjithkush ka mënyrën e vet të të punuarit. Unë jam një dirigjent i ftuar, nuk pretendoj të jem Zoti e të zgjidh të gjitha gjërat. Është e nevojshme që të kuptosh menjëherë. Unë ndjej mes orkestrantëve respekt dhe ngrohtësi dhe kjo është reciproke. Sa herë që zbres në sallë, jam i kënaqur dhe jo turi varur, duke thënë: të shohim se çfarë ngjet. Më pëlqen që çdo ditë jemi më mirë. Është një lloj alkimie. Aq më tepër që nuk jam i aftë për t’u grindur. Jam një lider, por vetëm në atë moment, jo në jetë. Më pëlqen që t’i bind njerëzit, pavarësisht karaktereve të secilit.
Gjithnjë në udhëtim, si ia dilni me gjithë këtë ngarkesë?
Duhet të kesh vetëm një grua që të të durojë. Ky është i vetmi problem. Për fat unë kam një grua inteligjente, që është edhe muzikante, që më kupton. Kam një vajzë të mrekullueshme, gati 3 vjeç. Nuk është një zanat i zakonshëm, të mban shumë jashtë shtëpie, por kjo është pjesë e rregullave të lojës. E rëndësishme është të mos ndihesh vetëm në vendet ku shkon. Të paktën këtu dal çdo mbrëmje me miq. Madje po më përkëdhelin. Nuk ndihem i vetëm, i lënë mënjanë dhe jam shumë i kënaqur.
Ç’mendoni për vëniet “moderne” të veprave klasike?
Të eksperimentosh është interesante, por duhet të jetë me shije të mirë dhe inteligjente. Edhe diçka tradicionale mund të jetë e mërzitshme, si diçka e modernizuar, mund të jetë pa shije. Gjithçka varet nga si e realizon, çfarë ka pas. Nuk kam paragjykime, jam i hapur. Deri më tani, nuk më është dhënë rasti, sepse ose kanë qenë vënie tradicionale, ose nuk kanë pasur asgjë skandaloze. Ajo çka nuk më pëlqejnë janë efektet si në teatër, ashtu edhe në muzikë. Kur drejtoj nuk mendoj asnjëherë thjesht për muzikën, por edhe për tekstin. Jo thjesht për domethënien, por edhe mënyrën sesi thuhet fjala. Sepse një fjalë e thënë në mënyra të ndryshme të çon në drejtime të ndryshme. Mund të bërtasësh “të dua!”, por mund ta thuash edhe nën zë dhe këtu ndryshon gjithçka. Kur bën diçka duhet të kesh argumente për zgjedhjen që bën. Kur njerëzit thonë: zgjodha me instinkt, nuk më bind. Duhet shpjeguar arsyeja. Nuk pretendoj që gjithçka të pëlqehet nga të gjithë. Është çmenduri, ideja e konsensusit universal. Jam i bindur që zgjedhjet e mija, jo gjithkujt mund t’i pëlqejnë, por duhet të jemi të qetë dhe entuziastë për gjërat që bëjmë.
Sa i rëndësishëm është publiku në punën e një dirigjenti?
Nuk e njoh publikun e Tiranës. Më pëlqen të ndjej ngrohtësinë e publikut menjëherë. Edhe një duartrokitje “jashtë radhe” mua më pëlqen. Kur ka një moment emocioni, përse jo. Një duartrokitje ndihmon të gjithë. Publiku japonez duartroket vetëm në fund, edhe atëherë 10 minuta, por në mes të veprës, ka frikë, se mos shqetëson dhe nuk e di nëse i ke pëlqyer.

Muzikant rastësisht
Në familjen e tij nuk ka asnjë muzikant. Janë mjekë, avokatë... “Kur isha fare i vogël, prindërit e mi punonin shumë dhe unë mbetesha përpara televizionit, ndaj më çuan të studioja muzikë. Nuk kisha asnjë lloj pasioni deri në moshën 9-vjeçare”, - tregon dirigjenti Vito Clemente. Por një vit më vonë profesori i hedh një sfidë. Ishte një pjesë për piano, tepër e vështirë për moshën e tij. E kuptoi se ishte e rëndësishme. Sfidë pas sfide, arriti të bëhej i zoti. “Fillova të studioja kompozim. Si pianist isha i zoti, por nuk më mjaftonin nuancat e pianos”, - thotë ai. Drejt dirigjimit e shtyu mjeshtri brazilian Roberto Duarte. Më tej studioi në konservator. Kreu të gjitha diplomat e mundshme, 6 syresh.

Në krye të orkestrës japoneze
Sapo ka ardhur nga Japonia. Atje tanimë është si i shtëpisë. “Orkestra është e një niveli të jashtëzakonshëm. Me të bëj gjëra të “frikshme”. Ata janë një “Ferrari” që kanë nevojë për një dirigjent paksa të çmendur. Unë e them gjithnjë, që nëse i kërkon 10 herë diçka një këngëtari italian, mbase edhe ta bën, nëse i kërkon 10 gjëra një japonezi, t’i bën të dhjeta në mënyrë perfekte. Jo gjithnjë mund të gjesh zëra të rëndësishëm, sepse nuk është ky vokalitet si këtu, tepër evropian, por ata kanë shumë disiplinë. Disiplina është pjesë e qenies së tyre. Çdo herë është si një leksion për ta. Çdo gjë që ti thua për ta është “Fjala” dhe ata bëjnë gjithçka”, - tregon dirigjenti.

Konkursi i fatit
Përfundoi studimet shkëlqyer, por askush nuk i bëri ndonjë “dhuratë”. Bëri gavetën. Punoi si pianist nëpër salla, drejtor skenik, mësoi gjithçka pas kuintave. Në 2002 fitoi një konkurs të rëndësishëm për dirigjim të zhvilluar nga Komuniteti Evropian, “Franco Capuana”, që i hapi rrugët. Fillimisht i besuan një “Traviata”, të cilën e vuri 28 herë, që nga Spoleto, deri në Japoni. Qysh atëherë shkon 2-3 herë në vit në Japoni, ku ka një kontratë të përhershme me ta. Momentalisht është drejtor muzikor në “Teatro della Fortuna” dhe i Orkestrës së Dhomës. “Tommaso Traetta”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›