Vetëvaret 45-vjeçari nga borxhet
TIRANE- Një 45-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në shtëpinë e tij, pasi kishte shumë borxhe dhe gjendje të rënduar ekonomike. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Yrshek të kryeqytetit, mbrëmjen e së hënës. Burime nga policia bënë të ditur se 45-vjeçari Iriat Dushku, baba i tre fëmijëve është gjetur i varur në një nga dhomat e shtëpisë nga bashkëshortja e tij. E pyetur nga policia, ajo ka bërë të ditur se shkak i kësaj ngjarje mund të kenë qenë problemet ekonomike që po kalonte familja e saj, pasi Dushku ishte një punëtor ndërtimi dhe nuk kishte mundësi që të shlyente borxhet që kishte familja. Ndërkohë policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet që mund të kenë çuar 45-vjeçarin në vetëflijim. Një ngjarje tjetër pothuajse e ngjashme ka ndodhur në kryeqytet, me protagoniste një grua 35-vjeçare, e cila sipas policisë vuante nga depresioni që i sillte herë pas herë pagjumësi. Fatmirësisht fundi nuk ka qenë tragjik, pasi Merita Shllaku, pasi ka konsumuar disa tableta valium, e ka ndjerë veten keq dha ka shkuar në spital. Aktualisht Shllaku ndodhet e shtruar në pavijonin e Toksikologjisë në Spitalin Ushtarak dhe sipas mjekëve edhe pse gjendja e saj shëndetësore është e rëndë, tashmë ajo nuk paraqet më rrezik për jetën.