Bashkia e Korçës: Do të padisim OSSH-në
Bashkia e Korçës kërcënon se do të padisë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes për lënien e qytetit pa ndriçim publik për disa ditë rresht. Sipas pretendimeve që vijnë nga pushteti vendor bëhet fjalë për një faturim afrofe të energjisë për ndriçimin e qytetit dhe jo për një borxh të prapambetur, siç deklarohet nga ana e OSSH-së. Por konflikti thellohet më tej kur sipas bashkisë kjo e fundit do t‘i drejtohet tashmë gjykatës për të zgjidhur "ngërçin" me operatorin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Prej tri ditësh, qyteti është zhytur në errësirë pasi të gjitha bulevardet si dhe rrugët kryesore e dytësore kanë mbetur pa energji elektrike. Pas një urdhri të OSSH-së në të gjitha kabinat janë ulur çelësat deri në shlyerjen nga bashkia të një detyrimi të prapambetur prej 10 milionë lekësh. Por me heqjen e ndriçimit kanë nisur edhe ankesat e para nga qytetarët, të cilët pretendojnë se situata është tepër e rëndë, sidomos në rrugët dytësore, ku për shkak të territ mund të sulmohen nga grabitës që mund të përfitojnë nga errësira e plotë. Nënkryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, ka pohuar se zgjidhja për situatën e krijuar do të gjendet në rrugë gjyqësore, pasi OSSH-ja që prej tre muajsh faturon fatura afrofe. Nga ana e tij Operatori i Sistemit të Shpërndarjes pretendon se Bashkia e Korçës, që prej tre muajsh, nuk paguan faturat për konsumin e energjisë elektrike që përdoret për ndriçimin e mjediseve publike të qytetit dhe për këtë arsye është ndërprerë furnizimi me energji elektrike. Por nënkryetari Sotiraq Filo këmbëngul se nga ana e OSSH-së po abuzohet me bashkinë. "Kemi kërkuar ta zgjidhim këtë çështje me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, por tratativat kanë qenë të kota. Pas disa përpjekjeve për të zgjidhur në mirëkuptim këtë mosmarrëveshje për faktin se në muajt e fundit faturat që i kanë ardhur bashkisë kanë qenë afrofe, më në fund ne kemi vendosur t‘i drejtohemi gjykatës për të kërkuar të drejtën tonë. OSSH-ja ka detyrimin të vendosë matës në kabinat elektrike që furnizojnë me energji ndriçimin e qytetit, por në mungesë të këtyre matësve na faturon ne si bashki të gjitha humbjet në rrjet, në vlera që ne kemi përllogaritur se tejkalojnë ato të konsumit të energjisë" tregon nënkryetari. Më tej ai ka shtuar se me dërgimin e çështjes në gjykatë, Bashkia e Korçës do të kërkojë edhe kthimin e vlerave financiare të vendosura aforfe nga ana e OSSH-së.