E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri mbledh drejtuesit e universiteteve në vend

Ministri i Arsimit dhe Shkencës mblodhi dje në një takim 11 rektorët e të gjitha institucioneve publike të arsimit të lartë.
Tema të diskutimit të takimit të djeshëm zhvilluar në Ministrinë e Arsimit kanë qenë regjistrimet në universitete, infrastruktura dhe investimet në këto institucione, por edhe çështje të veçanta, siç ishin miratimi i programeve të studimit dhe akreditimi i universiteteve. Në takim nuk ishte i pranishëm rektori i Universitetit të Vlorës, në mungesë të tij u paraqit zëvendësrektori i UV-së. Ministri Tafaj, në takimin e tij të parë me rektorët, u angazhua për një mbështetje të ministrisë në punën e universiteteve. Ai u shpreh: "Ky është takimi ynë i parë i punës për fillimin e vitit të ri akademik. Sot u mblodhëm që të diskutojmë bashkë për disa probleme, që kanë të bëjnë me përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik, mbështetja që ju duhet nga ana e MASH-it, për problemet e regjistrimeve të studentëve, sigurisht edhe për të vendosur së bashku edhe për kalendarin e vitit të ri akademik.
Bashkë ne kemi një rrugë të gjatë për të bërë, për të realizuar disa reforma të rëndësishme në këtë sektor jetik për Shqipërinë, siç është arsimi i lartë publik."
Nga ana e tyre, krerët e universiteteve publike në vend siguruan bashkëpunimin e ngushtë e institucional me MASH-in për realizimin e reformave në arsimin e lartë. Ata kërkuan një konsultim më të gjerë me universitetet, por edhe aktorë të tjerë të interesit, me qëllim hartimin dhe zbatimin e plotë të direktivave të MASH-it dhe qeverisë në këtë fushë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›