Obama në zonën që ndan dy Koretë

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, do të vizitojë javën e ardhshme zonën kufitare që ndan Korenë e Veriut dhe Korenë e Jugut.
Paraardhësit e tij, Ronald Regan dhe Bill Klinton, kanë vizituar zonën e demilitarizuar në vitet 1980 dhe 1990.
Udhëtimi i Obamës vjen pak ditë pasi Koreja e Veriut ka pranuar të ndalojë disa aktivitete bërthamore, si dhe lëshimin e raketave, në këmbim të ndihmave ushqimore nga SHBA.
Zona e demilitarizuar do të jetë ndalesa e parë e Obamës në vizitën treditore në Korenë e Jugut, e cila është mikëpritëse e samitit për siguri bërthamore.
Obama pritet të zhvillojë bisedime në Seul me presidentin kinez, Hu Xhintao, dhe atë rus, Dimitri Medvedev.