E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama nënshkruan ligjin e ri

Republikanët vazhdojnë luftën, duke e hedhur në gjykatën supreme ligjin e sapozyrtarizar Tashmë, “kujdesi shëndetësor” një realitet

Presidenti amerikan, Obama, ka nënshkruar fitoren e madhe në Kongres, dje duke e shndërruar në ligj reformën e shumëdiskutuar të kujdesit shëndetësor që do të luajë një rol primar në përkufizimin dhe formëzimin e trashëgimisë së tij. “Tani ne kemi pasuruar thelbin e parimit që në vendin tonë të gjithë duhet që të kenë një sigurim bazë kur bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor”, ka deklaruar Obama në ceremoninë e organizuar në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë me anëtarët demokratë të Kongresit. Ndërkohë, 13 nga 50 shtetet amerikane e kanë çuar çështjen e ligjit në gjykatën federale vetëm pak minuta pasi Obama nënshkroi shndërrimin e projektit në ligj. Këto shtete janë të mendimit se ligji dhunon të drejtën që ka secili shtet për të vendosur vetë. Sipas tyre, Kongresi nuk e ka autoritetin që të rregullojë tregtinë ndërmjet shteteve në rastin e blerjes së sigurimeve shëndetësore. Ligji i ri e shtrin sigurimin shëndetësor edhe te 32 milionë persona të tjerë në Shtetet e Bashkuara duke u bërë më gjithëpërfshirës. Ai vendos më shumë taksa për të pasurit dhe ndalon kompanitë e ilaçeve nga kryerja e disa praktikave të deritanishme. Pjesa më e madhe e zyrtarëve që vendosën ta hedhin në gjyq ligjin janë republikanë. Ata luftuan ashpër për të ndaluar kalimin e projektit, por nuk ia dolën dot, pasi të dielën edhe Kongresi vendosi për të. Tani republikanët shpresojnë që mosbesimi që ekziston në disa shtresa për këtë reformë të shtohet dhe kjo të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve lokale që do të zhvillohen në nëntor.

Pas nënshkrimit të ligjit, Obama mori pjesë në një ceremoni tjetër, ndërsa deklaroi se ai dhe të gjithë demokratët që e përkrahën ligjin shpresojnë që të sqarojnë të gjitha paqartësitë që kanë njerëzit në lidhje me ligjin. Për Obamën, ky ishte një ligj shumë i rëndësishëm, pasi në lojë ishte reputacioni i tij, duke qenë se kishte të gjithë republikanët kundër dhe disa demokratë. Për nënshkrimin e ligjit, Obama përdori 20 stilografë të ndryshëm, të cilët të gjithë do të dhurohen si suvenirë, një pjesë e madhe do t’u dhurohet atyre ligjvënësve që luftuan më shumë për aprovimin e ligjit. “Sot, pas thuajse një shekulli përpjekjesh, sot pas një viti të gjatë debatesh, reforma e kujdesit shëndetësor do të nisë, pasi është shndërruar në ligj”, ka deklaruar Obama.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›