Obama nominon Tracey Ann Jacobson si pasardhëse të Christopher Dell në Kosovë

Shtëpia e Bardhë ka bërë publik lajmin se ambasadore e re e SHBA-së në Kosovë do të jetë Tracey Ann Jacobson, e cila do të zëvendësojë Christopher Dellin.
Ky ndryshim vjen në kuadër të emërimeve të reja që do të bëjë presidenti amerikan në administratën e tij si dhe në pozita përfaqësuese diplomatike në disa vende të botës.
Ajo do të marrë këtë detyrë pas konfirmimit nga Senati.
Christopher Dell ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Kosovë që nga viti 2009, ndërsa sipas informatave të publikuara më parë nga Koha Ditore, ai pritet të vazhdojë punën në Gjermani, në postin e zëvendës komandantit në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Afrikë.
Ambasadorja Jacobson, një diplomate karriere nga Shërbimi i Lartë Diplomatik, aktualisht shërben si zëvendës drejtoreshë e Institutit për Shërbim të Jashtëm.
Sipas informatave zyrtare nga Shtëpia e Bardhë, Jacobson më parë ka qenë ambasadore e SHBA-së në Taxhikistan (2006-2009) dhe në Turkmenistan (2003-2006), ndërsa para këtyre detyrave ka shërbyer edhe si zëvendës shefe e misionit në Ambasadën amerikane në Rigë të Lituanisë.
Ambasadorja Jacobson ka shërbyer edhe si zëvendës sekretare ekzekutive në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, ndërsa ka punuar si diplomate në Seul të Koresë jugore, Massau të Bahameve dhe Moskë të Rusisë.