Banorët në protestë për HEC-in e Kalivaçit
GJIROKASTER - Banorët e pesë komunave në rrethin e Tepelenës, pronat e të cilëve preken nga ndërtimi i HEC-it të Kalivaçit protestuan dje për çështjen e kompensimit të pronave të tyre. Ata pohuan se qeveria nuk u ka bërë të njohur vlerën e dëmit financiar për pronat të cilat do të preken direkt nga ndërtimi dhe shtrirja e kësaj vepre hidroenergjetike në jug të vendit. Sipas kreut të Komunës Qesarat Arjan Zeqaj, nga ndërtimi i HEC-it do të preket një sipërfaqe toke deri në 1700 ha si dhe 128 banesa. "Të gjithë këto prona do të vihen nën ujë nga liqeni i hidrocentralit në një të ardhme të afërt dhe deri më sot, instrumentet qeveritare nuk na kanë njohur se cila do të jetë kostoja financiare e dëmshpërblimit të pronave të tyre të paluajtshme". Ceremonia e nisjes së punimeve u bë në vitin 2004 nga ish-kryeministri Fatos Nano për të përfunduar vitin e kaluar, por projekti u shty dhe 2 vjet të tjera.