Obama pro ratifikimit
Presidenti amerikan, Barack Obama, paralajmëroi se mosmiratimi nga Senati i SHBA i një marrëveshjeje të re me Rusinë për kontrollimin e armëve nukleare mund të minojë rolin udhëheqës të Amerikës në përballimin e sfidave anekënd botës.
Si rrjedhojë, presidenti amerikan ka kërkuar nga anëtarët e Senatit që para fundit të vitit ta ratifikojnë marrëveshjen e re për reduktimin e armatimit bërthamor me Rusinë.
Në fjalimin e tij javor në radio, presidenti Obama, mes tjerash, theksoi se “pa një marrëveshje të re, ne do të rrezikojmë kthimin prapa të progresit që e kemi bërë në raportet tona me Rusinë”.
Marrëveshja e re ishte nënshkruar nga presidenti Obama dhe presidenti rus Medvedev, në prill të këtij viti, në Pragë.
Marrëveshja parasheh që të SHBA ose Rusia mund të kenë më së shumti nga 1,550 koka raketore të gatshme.
Marrëveshja do të duhej të ratifikohej edhe nga Dhoma e Ulët e Parlamentit të Rusisë.
Për ratifikimin e marrëveshjes nevojiten 67 vota në Senat, kështu që Partisë Demokratike, të presidentit Obama, e cila ka vetëm 58 senatorë, i duhet të sigurojë edhe mbështetjen e republikanëve.
Marrëveshja ‘New START’ parasheh kufizimin e arsenalit nuklear të të dy shteteve, ashtu që ai të mos jetë më shumë se 1,500 mbushje bërthamore strategjike për secilin shtet, por edhe krijimin e një sistemi të monitorimit dhe të verifikimit të përmbushjes së saj.