Obama pro xhamisë në New York
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, tha se ai e mbështet propozimin për ndërtimin legal të xhamisë dhe qendrës kulturore myslimane afër vendit ku ndodheshin Kullat binjake, të cilat u shkatërruan në sulmet terroriste të 11 shtatorit, 2001.
Projekti është kundërshtuar nga shumë njujorkezë dhe amerikanë të tjerë, të cilët thonë se ndërtimi nuk do t'i respektojë kujtimet e më shumë se 2.700 njerëzve, të cilët e humbën jetën në sulmet e 11 shtatorit në New-York.
Sulmet i kryen rrëmbyesit e aeroplanëve nga grupi militant mysliman i Al-Kaidës.
Duke folur të premten në Shtëpinë e Bardhë, në një takim me diplomatë nga vendet islamike dhe anëtarë të komunitetit të myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, Obama tha se myslimanët kanë të drejtë të njëjtë që ta praktikojnë fenë e tyre si gjithë të tjerët në Amerikë.
Obama tha se kjo e drejtë përfshin edhe mundësinë e ndërtimit të vendit të adhurimit dhe qendrës së komunitetit, në pajtim me ligjet amerikane për ndërtimin e objekteve të tilla.
Presidenti shtoi se përkushtimi kushtetues i Amerikës për lirinë e religjionit duhet të jetë i "palëkundur" dhe pa përjashtim për religjione të veçanta.
"Më lejoni të jem i qartë: Si qytetar dhe si president, unë besoj se myslimanët e kanë të drejtën ta praktikojnë religjionin e tyre ashtu si çdo njeri në këtë vend".
"Kjo përfshin të drejtën për të ndërtuar vend të adhurimit dhe qendër komunitare në pronë private në Manhatanin e ulët, në pajtim me ligjet dhe rregulloret lokale. Kjo është Amerikë, dhe përkushtimi ynë për lirinë e religjionit duhet të jetë i palëkundur", theksoi Obama.
Presidenti amerikan tha se liria e religjionit ka qenë ajo që ka bërë Amerikën të dallohet nga të tjerët.
Obama i bëri këto komente në Shtëpinë e Bardhë gjatë darkës së iftarit me rastin e muajit të Ramazanit.