Obama vizitë surprizë në Irak

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama ka nisur një vizitë të paparalajmëruar në Irak, pas përfundimit të vizitës dyditore në Turqi. Obama ka fluturuar drejt Bagdadit në fund të një turi të gjatë transatlantik që përfshiu samitet e G20-ës në Londër dhe atë të NATO-s në Francë e Gjermani, si dhe vizitën në Turqi. Kjo është vizita e tretë e Barak Obamës në Irak, por e para që nga koha që ka marrë detyrën si President i SHBA-së. Shtëpia e Bardhë e mbajti të fshehtë lajmin e vizitës së Obamës në Irak dhe detajet e tjera, për arsye sigurie. Por burime të ndryshme kishin spekuluar që Obama mund të vizitonte Irakun në përfundim të turit të tij europian. Obama pritet që gjatë vizitës së tij në Bagdad, të zhvillojë bisedime me Presidentin irakian Xhelal Talabani, si dhe kryeministrin Nuri al Maliki, me të cilët do të dikutojë mbi situatën politike në vend. Por kryesisht, vizita e Obamës pritet të përqendrohet në takimet me trupat amerikane në këtë vend. Obama pritet të takohet me komandantin amerikan të trupave në Irak Rei Odierno dhe pjesëtarë të tjerë të ushtrisë. Gjatë vizitës së tij përtej oqeanike në kohën e fushatës elektrorale, Obama vizitoi edhe Irakun. Ai gjithashtu e ka vizituar Irakun edhe në vitin 2006, kur ishte senator i Ilinoisit.