Obama vizitoi rajonet e goditura nga Sandy

Presidenti shpalli si "katastrofë madhore" gjendjen në shtetet New York dhe New Jersey, duke çliruar fondet federale që synojnë riparimin e dëmeve prej miliarda dollarësh përgjatë bregut lindor.
Guvernatori i New Yorkut, Michael Bloomberg, tha se shumë prej tuneleve të përmbytura të metrosë së qytetit janë të bllokuara dhe paralajmëroi se qyteti përballet me ditë, nëse jo javë, sfidash të rimëkëmbjes nga stuhia.
"Dëmi që kemi pësuar është shumë i madh dhe riparimet nuk do të ndodhin brenda natës. Dy sfidat më të mëdha me të cilat përballet qyteti janë transporti publik dhe energjia elektrike”, tha Bloomberg.
Tregu i aksioneve New York Stock Exchange qëndroi mbyllur të martën për një ditë të dytë në rresht, duke shënuar kështu herën e parë që nga viti 1888 që këmbimet tregtare janë pezulluar për dy ditë me radhë për shkak të motit. New York Stock Exchange u hap sot.
Qytete të tjera amerikane përgjatë bregdetit lindor, përfshi kryeqytetin Washingtonin, mbetën me sisteme publike transporti të pezulluar, aeroporte të mbyllur dhe miliona njerëz të detyruar të qëndrojnë në shtëpi.
Stuhia e fuqishme goditi më tej në brendësi të vendit 1 mijë e 500 kilometra nga brigjet lindore, duke sjellë në disa zona (Virxhini) borë prej më shumë se 1 metër.
Në ndërkohë është ngritur në 48 numri i të vdekurve nga stuhia Sandy, ndërsa rreth 8 milionë shtëpi dhe biznese vazhdojnë të jenë pa energji elektrike.
Të paktën 18 prej të vdekurve raportohet të jenë nga New Yorku, një prej qyteteve të goditura më rëndë nga stuhia Sandy.
Metrotë e përmbytura të Nju Jorkut mbeten të mbyllura deri në një lajmërim tjetër. Mbi 18.000 fluturime janë anuluar edhe pse në New York dhe New Jersey një numër i kufizuar i aeroplanëve kanë rinisur udhëtimet.