E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina në pritje të planeve të Obamës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për gazetën austriake "Der Standard", ka deklaruar se Prishtina është duke pritur planet e presidentit amerikan Barak Obama për Ballkanin Perëndimor. I pyetur nëse në periudhën e kaluar SHBA-të e kanë mbështetur mjaftueshëm Kosovën që ajo të njihet nga vendet arabe, Thaçi ka thënë se shqiptarët e Kosovës i janë shumë mirënjohës ish-presidentit Xhorxh Bush, qeverisë dhe kombit amerikan, ndërsa ka shtuar se tashmë presin planet e presidentit Obama për Ballkanin Perëndimor. "Ne jemi pjesë e familjes europiane, dhe do të jemi pjesë e BE-së dhe e NATO-s. Gjithashtu, do të kemi edhe më shumë njohje nga shtetet e Konferencës Islamike, por duket se gjërat janë komplikuar paksa, më shumë se ç'kemi pritur, mirëpo premtimet ende qëndrojnë dhe presim që ato të përmbushen", është shprehur kryeministri kosovar Thaçi. Përsa i përket shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, Thaçi ka thënë se, ato nuk kanë ndërmarrë një hap të tillë për shkak të problemeve të tyre të brendshme, dhe se presin një moment më të volitshëm për ta njohur Kosovën. Kryeministri kosovar gjithashtu ka theksuar se Prishtina është e gatshme të bisedojë me Beogradin për çështjet praktike që janë në interes të të dyja palëve, dhe që parashikohen sipas planit të Ahtisaarit. Ndërkaq, lidhur me çështjen e Mitrovicës, Thaçi ka thënë se integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe se askush nuk mund të prekë sovranitetin e saj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›