E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obelisk përkujtimor për viktimat e komunizmit në oborrin e Piramidës

Këshilli i Ministrave vendosi dje që data 20 shkurt të shpallet dita e nderimit të viktimave të sistemit komunist, ndërkohë që do të krijohet edhe një muze në kujtim të viktimave të këtij sistemi. "Mund të ishin data të tjera, por u vendos për datën 20 shkurt, pasi kjo ishte data e ngadhënjimit të atyre që patën kurajën të përmbysin realisht bustet e gjalla dhe të vdekura të diktaturës", theksoi Berisha, duke shtuar se 20 shkurti i vitit 1991 ishte edhe dita e përmbysjes së bustit të diktatorit. Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje se "do t‘i propozohet Parlamentit që të vendosë për ngritjen e obeliskut në nderim të viktimave të sistemit komunist, para piramidës së diktatorit, e cila sot është Qendër Kulture". Kryeministri Berisha paraqiti në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, projektligjin për krijimin e institutit të studimeve të krimeve dhe pasojave të sistemit komunist në Shqipëri. "Sistemi komunist në Shqipëri ishte sistemi më represiv, shtypës dhe i dhunshëm në të gjithë Evropën ish-komuniste. Ky sistem u krijoi shqiptarëve dramën më të madhe kombëtare në tërë historinë e tyre", u shpreh Kryeministri. Shefi i qeverisë e cilësoi këtë iniciativë një përpjekje për të rikujtuar dhe për të mos harruar dhunën, vuajtjet dhe dhimbjen që ky sistem u shkaktoi shqiptarëve.

"Në asnjë rast, ne nuk kemi zgjedhur as hakmarrjen, sepse nuk do të ishte gjë tjetër veçse ripërsëritje e asaj që ka ndodhur, por e vërtetë është se nuk kemi zgjedhur as drejtësinë. Ne, si me ligjin e lustracionit dhe me të gjitha ligjet e vendimet e tjera që do të ndërmerren, kemi zgjedhur më së shumti një kufizim të përkohshëm për një grup të caktuar të të drejtave të tyre, por krejtësisht të përkohshëm. Ne kemi zgjedhur një përpjekje të madhe për të rikujtuar dhe për të mos harruar", theksoi Berisha. Kreu i qeverisë ngarkoi me detyrë ministrin e Kulturës që të hapë një konkurs ndërkombëtar për ndërtimin e një obelisku.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›