E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Replikat, skeç banal Berisha-Bode

Socialistët ftuan dje Kryeministrin dhe ministrin e Financave të dalin nga rolet e skeçit banal të rritjes së hatashme ekonomike. Sipas Mimi Kodhelit, dje, pasiguria kronike e këtij shteti mori jetën e një punëtoreje fatkeqe. "Në të njëjtën ditë në sallën e qeverisë, luhej një skeç banal mes Sali Berishës e Ridvan Bodes për rritjen ekonomike. Të dy talleshin!", u shpreh Kodheli. Teksa insistoi se lufta për mbijetesë në atdheun e varfërisë e të papunësisë që rritet përditë, vrau një grua të pafajshme, e cila çmontonte predha për një rrogë qesharake në një punë të pasigurt shteti, ndërkohë që Sali Berisha bënte sikur grindej me ministrin e tij për shifrën e rritjes ekonomike. "Të dy gënjenin!", konstatoi zëdhënësja e kryesisë së socialistëve. Ajo vlerësoi se Kryeministri dhe ministri i Financave duhet të dalin nga rolet e skeçit banal të rritjes së hatashme ekonomike dhe të bëjnë detyrën për këta muaj që u kanë mbetur, duke e filluar nga rimbursimet e shpenzimeve të varrimit për të ndjerën Suzana Kapxhiu. "Si edhe nga lidhja e një pensioni për dy jetimët e saj", tha Kodheli.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›