E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen predha në Poliçan, një e vdekur, dy të plagosur

TRAGJEDIA/ Suzana Kapxhiu ndërroi jetë teksa u godit nga një djegore pas futjes në zjarr të ambalazheve

POLIÇAN – Mëngjesi i ftohtë i së martës dhe dëshira për t’u ngrohur ka qenë shkak për një tragjedi të ndodhur në kombinatin ushtarak të Poliçanit ku vdiq një 45-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, dhe u plagosën dy punëtorë të tjerë. Personat që po punonin pranë poligonit nr.6 të këtij kombinati, kanë marrë dërrasa të mbetjeve të ambalazheve të predhave të demontuara për t’u ngrohur, por nga pakujdesia brenda mbeturinave kishte mbetur një djegore e predhës 57 mm, e cila kur ka rënë në kontakt me zjarrin e ndezur,ka shpërthyer duke goditur tre persona. Ky ka qenë një mikro-Gërdec që ka ardhur si rezultat i neglizhimit të disiplinës teknike dhe mosreflektimit të personelit ushtarak nga ngjarja e rëndë e Gërdecit, duke bërë asgjësime të lëndëve të rrezikshme ushtarake pa procesverbale të rregullta të inventarit të djegoreve të asgjësuara dhe duke i lënë në arka ambalazhi që janë bërë shkak për vdekjen e punonjëses. Pas marrjes në pyetje të personelit inxhiniero-teknik të uzinës, kanë dalë në pah të meta të rënda të organizimit të punës. Kjo për faktin sepse janë anashkaluar rregullat e sigurimit teknik. 45-vjeçarja Suzana Kapxhiu, që vdiq rrugës për në spital, kishte varrosur të shoqin vetëm 6 muaj më parë, i cili kishte vdekur nga një infarkt. Dy fëmijë tashmë kanë mbetur jetimë: një vajzë në klasën e 8-të shkollës 9-vjeçare, si dhe i biri student në vitin e dytë të universitetit të Tiranës. 45-vjeçarja e ardhur në Poliçan nga Tepelena u vra aksidentalisht nga shkelja e rregullave në një institucion të rëndësishem, pas neglizhimit të rregullores dhe shkeljes flagrante të masave të sigurimit teknik. Në deklarata e ndryshme të dhëna, pati thënie kontradiktore. Kjo për faktin se ndërkohë është deklaruar se poligoni nuk punonte prej disa javësh, afërsisht një muaji. Si rrjedhojë, duhet të ishte kryer inventarizimi përkatës i objekteve të pranishme për t’u asgjësuar, si dhe i mbetjeve të tyre.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 08:30 të mëngjesit të së martës, kur 6 punëtorët në Kombinatin Mekanik të qytetit të Poliçanit, duke filluar si çdo mëngjes punën me pastrimin e ambientit të poligonit, si rezultat i temperaturave të ulëta janë përpjekur të ndezin një zjarr, duke përdorur arkat prej druri në të cilat mbaheshin municionet. Nga pakujdesia e treguar nga punëtorët, në njërën nga arkat ndodhej një djegore, e cila nga nxehtësia ka shpërthyer duke goditur punëtorët që ndodheshin përreth zjarrit. 45-vjeçarja Suzana Kapxhiu, si pasojë e goditjes së marrë në kokë ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që 2 punëtorëte tjerë: Krenar Hysi, 45 vjeç, dhe Adriatik Hasanbelliu, 46 vjeç, janë plagosur. Atyre iu është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që trupi i pajetë i Suzana Kapxhiut, nënë e dy fëmijëve, është dërguar pranë familjes për t’u përcjellë për në banesën e saj të fundit. Në vendngjarje shkuan grupe ekspertësh të Policisë së Rendit dhe asaj Ushtarake, të cilët rrethuan e inspektuan vendin e ngjarjes. Disa orë pas ngjarjes, në Kombinatin Mekanik të Poliçanit mbërritën edhe përfaqësues të Prokurorisë së Rrethit Berat dhe Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët morën në pyetje të gjithë dëshmitarët okularë të kësaj tragjedie. I mbijetuari nga kjo tragjedi, 46-vjeçari Adriatik Hysenbelliu, tha për gazetën “Shekulli”: “Ndërkohë që po ngroheshim rreth zjarrit, njëra nga arkat e durit që përdorej si amballazh për djegoret, kishte pasur brenda njërën prej tyre dhe pas djegies së kutisë prej druri ajo shpërtheu, duke na rrëzuar të gjithëve për tokë. Pasi morëm veten, pamë që disa prej nesh ishin plagosur, ndërsa shoqja jonë Suzana ishte mbuluar me gjak, pasi predha e kishte kapur në kokë”.

Reagimet

Kryebashkiaku Adriatik Zotkaj ndoqi ngjarjen nga afër dhe mori masat e duhura për qetësimin e situatës. Pasi vendosi që të përballojë shpenzimet për funeralin e viktimës dhe akordimin e bursës për fëmijën e saj me studime në shkollën e lartë, Zotkaj u shpreh: “Nuk mund të pajtohem me faktin që asnjë përfaqësues i qeverisë nuk ka ardhur ende në Poliçan. Personalisht kam kërkuar nga qeveria siguri dhe garanci, gjë që nuk mund ta pohoj, sepse është vetë ngjarja ajo që na çmonton besimin për të ardhmen. Gjej rastin që të kërkoj edhe njëherë sensibilizimin e qytetarëve për të qenë të ndërgjegjshëm ndaj këtij rreziku evident. Shpreh ngushëllimet e mia për viktimën dhe u uroj shërim të shpejtë dy të plagosurve”.

Ndërkojë, pas marrjes së lajmit tragjik për ngjarjen e rëndë që kishte pllakosur popullsinë e Poliçanit, në vendngjarje shkoi edhe deputeti socialist Erion Braçe. Pasi u njoh me rrjedhojat e tragjedisë ai deklaroi se ngjarja e ndodhur ishte shumë e rëndë dhe tragjedia bëhet edhe më madhe në familjen e viktimës Suzana Kapxhiu. Braçe pohoi se tragjedia nuk kishte lidhje me procesin e demontimit, i cili nuk ka filluar ende të kryhet në këtë kombinat, por ajo që është evidente është fakti i kushteve minimale të sigurisë në të gjithë Kombinatin Mekanik të Poliçanit, për të cilat duhen marrë masa ekstreme për të vendosur apo për të rikthyer standardet e sigurisë në çdo ambient me rrezikshmëri të lartë, në të cilin punohet.

Kombinati Ushtarak

Kombinati Ushtarak i Poliçanit është ndërmarrje shtetërore e themeluar që në vitin 1962. Ai u krijua qëllimisht për të rritur pavarësinë e forcave të armatosura të vendit për furnizimin me municione luftarake për shumë lloje armësh që kishim në dispozicion. Për këtë në periudhen 1962 - 1966 u krijua linja e prodhimit të municioneve të kalibrit 7.62 mm x 39 për armët kallashnikov e karabina vetëmbushëse, si dhe municione për mortajat 82 mm, granata dore ofensive dhe defensive, si dhe të minave kundër këmbësorisë. Në periudhën 1970 - 1972 në godinën ekzistuese u instalua linja e prodhimit të minave antitank. Në vitin 1970 - 1975 u krye rikonnstruksioni i thellë me makineri dhe pajisje të ardhura nga Zvicra dhe Austria për të mundësuar prodhimin e municionit kalibër 12.7 mmx 99 dhe 14.5 x 51, si dhe municion mortajash të kalibrave 60, 107, dhe 120 mm. Aktualisht tashti këtu prodhohen vetëm municione pistoletash “Makarov” dhe “Parabellum”. Në këtë uzinë në fundin e vitit të kaluar nën asistencën e vetë ministrit të Mbrojtjes, Oketa, u krye asgjësimi i 113 kg zhive fulminante.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›