E Shtunë, 31 Tetor 2026

Objektet fetare KFOR: Përgjegjësi vetëm për 4 vepra

PRISHTINë- Zyra për shtyp e KFOR-it thotë se është detyruar nga raporte të jo korrekte të shtyra nga Kisha Ortodokse Serbe të sqarojë çështjen e sigurisë së objekteve fetare serbe në Kosovë.
“Transferimi i përgjegjësisë për ruajtjen e pronave me status të caktuar special është vendosur vetëm për katër prej tyre”, thuhet sot në një njoftim të zëdhënësit të KFOR-it.

KFOR-i thotë se vendimi për transferimin e përgjegjësisë për ruajtjen e katër objekteve, përfshirë Manastirin e Graçanicës, e ka marrë Këshilli i NATO-s në korrik.

Duke iu referuar raporteve të publikuara vazhdimisht në mënyrë jo korrekte, të shtyra nga përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe dhe të tjerëve, zëdhënësi i KFOR-it qartëson se "nëntë prona me status të caktuar special, Monumenti i Gazimestanit, manastiri i Graçanicës, i Budisavcit, i Goriocit, i Zoçistes, i Kryeengjëjve, ai i Deçanit, i Deviçit dhe Patrikana në Pejë vazhdojnë të ruhen nga KFOR-i. Ndërsa kisha në Prizren nuk hyn në këto prona".
"Si rrjedhojë e situatës së përmirësuar të sigurisë në Kosovë, KFOR-i tashmë e ka transferuar përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e monumentit të Gazimestanit tek Policia e Kosovës në mars të vitit 2010”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu KFOR-i bën të ditur se "Këshilli Veri-Atlantik ka vendosur më 9 korrik që për shkak të situatës së mirë të sigurisë në zonat respektive dhe transferimit të suksesshëm të përgjegjësisë për ruajtjen e monumentit të Gazimestanit tek Policia e Kosovës, ka ardhur koha që të transferohet në mënyrë graduale përgjegjësia e ruajtjes edhe të manastireve të Graçanicës, Budisavcit, Goriocit dhe Zoçistes tek policia e Kosovës".
Në njoftim thuhet se "Manastiri i Graçanicës është vendi i parë, siguria e të cilit do të transferohet te Policia e Kosovës, ndërsa për tri të tjerat ende nuk është vendosur afat i caktuar".
Sipas KFOR-it, ende nuk është marrë vendim për Patriarkanën e Pejës dhe manastiret e Deçanit, Deviçit dhe Kryeengjëjve. Zëdhënësi i KFOR-it bëri të ditur gjithashtu se "Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë ka qenë e informuar gjatë tërë procesit të vendimmarrjes".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›