E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia, sfidë nervash e revanshi ndaj Skënderbeut

Apolonia pas humbjes 4-1 me Tiranën në “Qemal Stafa” synon rehabilitimin me Skënderbeun në “Loni Papuçiu” në javën e 17-të (e fundit për këtë vit), ndaj një skuadre të cilën e mundi 3-2 në ndeshjen e fazës së parë të luajtur në Korçë. Nën drejtimin e ish-trajnerit Esad Karishik, fierakët zhvilluan një nga ndeshjet më të mira në transfertë, madje një takim të konsideruar “thriller”, parë edhe faktin se në harkun e vetëm katër minutave u shënuan 3 gola, dy nga Apolonia e një nga Skënderbeu. Fitorja e parë e Apolonisë në transfertë nën drejtimin e Esad Karishikut.
Pozitat aktuale të dy skuadrave janë diametralisht të kundërta, Apolonia e katërta dhe Skënderbeu i parafundit, ndërkohë që sfida ka brenda edhe një hakmarrje të vogël nga ana e formacionit të Hasan Likës, pasi ishin korçarët ata që i eliminuan djemtë e Koço Kokëdhimës nga vazhdimi i Kupës së Shqipërisë. Apolonia në ndeshjen e fundit në shtëpi fitoi 2-0 ndaj Laçit, pikërisht me golat e golashënuesit më të mirë të saj, Mladen Bërkiç, autor i golit të fitores kundër Skënderbeut në fazën e parë. Ndërkohë që Apolonia provoi ethe të ftohta në humbjen 4-1 me Tiranën, Skënderbeu është plot energji pasi skuadra korçare nuk e zhvilloi takimin e radhës me Besën e Kavajës, për shkak të kushteve të papërshtatshme të stadiumit të Korçës. Gjithsesi, Skënderbeu i Gerti Haxhiut (një ish-trajner i Apolonisë) ka bilancin më të dobët në transfertë, ku në 8 ndeshje ka pësuar 6 humbje dhe ka marrë 2 barazime, duke qenë edhe skuadra që ka shënuar më pak jashtë shtëpisë, 2 gola. Kampi korçar është mbërthyer nga polemika të forta brenda grupit, ku deklarimi më i fundit është ai i kapitenit Blendi Shkëmbi (1 gol këtë sezon), i cili është në kërkim të një destinacioni tjetër, ndërkohë që lamtumirën mund ta japin shumë shpejt edhe katër kroatët e ardhur me rekomandimin e vetë Shkëmbit.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›