E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PD-PS të nisin dialogun, negociatori duhet të jetë shqiptar”

 Eni VasiliAmbasadori i Hollandës, Henk van den Dool shprehet se situata politike aktuale rrezikon progresin e Shqipërisë të bërë në procesin e integrimit evropian. Sipas tij, kjo po çon në një situatë e cila është problematike dhe jo vetëm për opozitën, edhe për maxhorancën, por edhe për Shqipërinë. Vetëm pak ditë më parë, në media, së bashku me ambasadorin e OSBE–së, Bosch jeni shprehur i shqetësuar për situatën në Shqipëri. çfarë ju shqetëson konkretisht?Tani 6 muaj pas zgjedhjeve në mendimin tim nuk ka një Parlament që funksionon ashtu si duhet të funksionojë. Nuk besoj se kjo ishte ajo për të cilën votuan shqiptarët. Parlamenti është shprehja më e mrekullueshme e demokracisë, sepse demokracia bëhet në Parlament. Parlamenti është vendi ku dialogu politik zë vend. Parlamenti nuk është atje vetëm për të miratuar ligjet që miraton Qeveria, por duhet edhe të ngrejë pyetje për Qeverinë, ta monitorojë atë dhe të dialogojë me të. Dhe duke pasur një Parlament të fortë që funksionon mirë çdo qeveri do të ishte një qeveri më e mirë, sepse është një dialog nga i cili merr formë demokracia. Në këtë aspekt, ka nevojë për shumë reforma në Shqipëri për të krijuar një klimë më të mirë për biznesin, për të siguruar që zbatohet ligji, për të siguruar që ka kujdes për mjedisin. Të gjitha këto mund të bëhen kur ka një parlament që funksionon mirë dhe ku qytetarët ndjejnë që janë të përfaqësuar. Ky është një nga shqetësimet e mia. Shqetësimi tjetër është se kjo situatë nëse vazhdon akoma, e rrezikon progresin që po bën Shqipëria drejt rrugës së integrimit evropian. Keni të drejtë kur thoni që kemi një Parlament që nuk funksionon. Por, opozita ka arsyet e veta që qëndron jashtë Parlamentit. çfarë mendoni për arsyet që e çuan atë në bojkot?Komuniteti Ndërkombëtar duke përfshirë edhe vendin tim ishte  prezent gjatë zgjedhjeve dhe mandatet u shpërndanë, koalicioni i krijua dhe kështu u krijua edhe një qeveri legjitime dhe për këtë gjë nuk mund të flasim më tepër. Ajo që unë vë re është se opozita po bojkoton Parlamentin dhe për këtë kanë arsyet e tyre. Si ambasador unë flas me shumë njerëz qoftë nga opozita, nga qeveria me njerëz jashtë sferës politike për mënyrat që ka zgjedhur opozita dhe kërkesat që ata kanë. Për mua është e qartë se për ta shqetësimet e tyre janë të drejta, por unë nuk mund të vendos as mund të gjykoj, nëse ata kanë shqetësime të drejta apo të gabuara. Ata mendojnë që këto janë shqetësime të vërteta dhe kjo po na çon në një situatë, ku opozita mendon se është e nevojshme të bojkotohet Parlamenti. Unë nuk mund të komentoj kush ka të drejtë dhe kush ka gabim, por kjo po çon në një situatë e cila është problematike dhe jo vetëm për opozitën, edhe për maxhorancën, por edhe për Shqipërinë. Në fakt ka të tillë sipas jush? Duhet të ketë një palë që ka të drejtë dhe një që e ka gabim?Edhe njëherë nuk më takon mua ta them. Unë mendoj që ky vend ka nevojë për demokraci funksionale dhe kjo ndodh në Parlament, kjo ka të bëjë me të pasurin mjaftueshëm vota, por edhe që të kesh një dialog politik që e bën çdo shqiptar të ndjehet i përfaqësuar. Mënyra tjetër është të mos e kesh këtë demokraci funksionale. Tani nuk ka demokraci funksionale dhe mendoj që të gjithë palët janë gabim. Ajo që më shqetëson është se unë nuk shoh një anë tjetër të medaljes në këtë moment, një dëshirë për ta kapërcyer këtë pjesë gri dhe për t’u ulur së bashku dhe për të gjetur mënyrat se si mund të dilet nga kjo situatë.Ju si e konsideroni faktin që deri tani ata nuk ju kanë dëgjuar?Më duhet të them se unë jam optimist nga natyra dhe unë shoh disa shenja drite në fund të tunelit. Së fundmi, një sërë lojtarësh të rëndësishëm në politikë, jo lojtarët kyç, por të tjerë kanë dhënë sinjale apo mesazhe, që të ulen, të fillojë kompromisi dhe të lihen mënjanë akuzat, fyerjet. Kjo gjë është pozitive, dhe  zv.kryeministri ka folur dhe është e rëndësishme që të vijë nga ajo palë. Ka një dinamikë e cila ka filluar të zhvillohet. Në këtë situatë statike ka pasur një rritje tensioni politik dhe unë e di mirë se është e vështirë për secilën nga palët që të fillojnë kompromisin, sepse në një lojë nuk ka kompromise, nuk mund t’i hapësh fare pak kutitë, as nuk mund të hysh fare pak në Parlament, është shumë e vështirë që të arrish një kompromis, kështu që ai duhet gjetur në çështje të tjera. Kur vërtet ka një mosmarrëveshje mes palëve atëherë të ndihmon shumë të ulesh me tjetrin dhe të zgjerosh axhendën. Nëse bihet dakord për pikën X atëherë të fillohet se si mund të zgjidhet edhe pika Y.A e shikoni presidentin një mediator të mundshëm?Unë mendoj që Presidenti ka dëshirën e mirë për ta bërë këtë gjë, edhe ish-Presidenti do të ketë dëshirën e mirë për të bërë këtë gjë dhe të tjerë mund të kenë dëshirën e mirë për ta bërë këtë gjë, por ka një rrezik dhe ai është i dyanshëm. Nga njëra anë mediatori është efektiv kur ai ose ajo është i pranueshëm nga të dy palët dhe ky është një parakusht. Nuk mund të detyrosh dikë që të ulët me një mediator që nuk e do. Nga ana tjetër mediatori duhet të jetë shqiptar, sepse duhet që ai të ketë shqetësim për Shqipërinë.Marrë me shkurtime nga “Studio e hapur”, TV Alsat

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›