Rama krijon shoqatën e bashkiakëve të PS
Të zgjedhurit vendorë të PS-së krijojnë shoqatën e tyre për autonominë vendore. Kreu socialist Edi Rama ka hedhur i pari firmën e tij në listën e anëtarëve të kësaj shoqate, që është ndjekur dhe nga 100 bashkiakë dhe komunarë të tjerë të zgjedhur nga PS-ja, gjatë një takimi të zhvilluar dje paradite në Hotel “Tirana International”. Tashmë në vend funksionojnë dy shoqata bashkiakësh dhe komunarësh, një me socialistë që drejtohet tashmë nga kryetari i bashkisë Pogradec, Artan Shkëmbi dhe shoqata e bashkiakëve demokratë, të cilët përbëjnë shumicën, që drejtohet nga bashkiaku i Kavajës Refik Rukija. Ligji i ri i qeverisë për heqjen e disa kompetencave dhe taksave pushtetit vendor, çoi të ndarjen përfundimtare të të zgjedhurve vendorë, në demokratë dhe socialistë, duke çuar në krijimin e shoqatës së re “Shoqata për autonominë vendore”. Kryetari i bashkisë Tiranë dhe njëkohësisht kryetar i PS-së, Edi Rama akuzoi gjatë takimit me bashkiakët kryeministrin Berisha se gënjeu serish për taksat e biznesit të vogël. “Berisha gënjeu dje për biznesin e vogël. Dje nuk pati asnjë lehtësim nga vendimi i Berishës, por pati vetëm një zmbrapsje të Berishës”, tha Rama duke shtuar më tej se “TVSH për bizneset me 5 milionë lekë është e papranueshme, pasi qeveria nuk ka një sistem te verifikimit të xhiros”. Në këtë pikë Rama theksoi se qeveria nuk ka vendosur ende kasat për bizneset. Kryebashkiaku i Tiranës u bëri të ditur vendorëve se ata janë aktorët që vendosin tarifat. “është e papranueshme që qeveria të përcaktojë tarifat për biznesin e vogël. Tatim fitimi për biznesin e vogël caktohet nga vendori”. Edi Rama akuzoi qeverinë për pengim të procesit te decentralizimit. Kryebashkiaku theksoi se beteja për autonominë vendore e sanksionuar në kushtetute do të vazhdojë. “Nuk do të ndalemi pa u plotësuar pesë kërkesat tona për pushtetin vendor”, tha Rama. Sipas Ramës, situata nuk pritet të përmirësohet as për vitin 2010. Duke përmendur faturën e rritur të energjisë elektrike Rama theksoi se plus faturën e TVSH, biznesi do ta ketë të papërballueshme. Kreu i Bashkisë së Tiranës iu referua dhe të ardhurave nga Bashkia duke i bërë apel kryeministrit të dorëzojë në arkat e komunave dhe bashkive në rrethe këto të ardhura dhe jo të zhduken në vrimat e zeza siç e quajti ai buxhetin e qeverisë. “I bëjmë apel kryeministrit që të dorëzojë në bashkitë dhe komunat të gjitha të ardhurat nga legalizimet. Nuk mund t’ju mohohen kontributet që qytetarët japin për t’i parë të kthyera në investime”, u shpreh Rama.