Oborret në përdorim, ja çmimet e shitjes
Të gjithë ata individë, që jetojnë në fshat ose në qytet, e që oborret e shtëpive të tyre i kanë në përdorim, mund të bëhen pronarë. Ja procedurat
TIRANË- Të gjithë ata individë që jetojnë në fshat ose në qytet, dhe që oborret e shtëpive të tyre i kanë në përdorim dhe jo në pronësi, mund të bëhen përfundimisht pronarë të tyre. Qeveria ka miratuar në mbledhjen e saj të fundit, vendimin që i hap rrugë ligjore tjetërsimit të pronësisë, për të gjitha ato sipërfaqe trojesh që janë në pronësi të shtetit, mbi të cilat janë ngritur ndërtesa të ligjshme para muajit gusht të vitit 1991. Më konkretisht, objekt i këtij vendimi janë tjetërsimi i sipërfaqeve përreth ndërtesave, të cilat në dokumentin e pronësisë kanë shënimin "oborr në pronësi" dhe që përfshin tokën nën ndërtim, si dhe atë rreth saj. Pra, bëhet fjalë për ato sipërfaqe, të cilat deri më tani janë poseduar nga një pronar, por pa qenë të regjistruara si pronësi private. Marrja e pronësisë nga individët privatë mund të bëhet me shpërblim dhe pa shpërblim, kjo në varësi të kushteve, në të cilat kjo sipërfaqe toke është shtetëzuar më parë me ligjet e tokës.
Kushtet për tjetërsim
Oborret në përdorim tjetërsohen, sipas këtij vendimi, nëse plotësojnë një sërë kriteresh bazë që arrijnë të krijojnë tablonë e plotë, se ato nuk janë objekt i konflikteve ligjore. Kështu, një oborr mund të bëhet pronë private, nëse brenda tij ose në lidhje funksionale me të, gjendet ndërtim, gjendet i regjistruar në regjistrat e ZRPP-së, në pronësi, në përdorimin e kërkuesit dhe nëse ndërtesa është ngritur para datës 10.8.1991. Natyrisht, këto sipërfaqe toke duhet të jenë në pronësi të shtetit, ndonëse të paregjistruara si të tilla, por të patransferuara në inventarin e pronave të organeve të qeverisjes vendore. Në të gjitha rastet kur pronat që janë objekt i këtij vendimi plotësojnë këto kritere, atëherë pronari i ndërtesës duhet të plotësojë një kërkesë, sipas modelit standard, që do të miratohet nga ministri i Drejtësisë dhe që do të paraqitet pranë zyrës rajonale të AKKP-së, në juridiksionin territorial të së cilës ndodhet oborri në përdorim, që kërkohet për t'u tjetërsuar. Kërkesa mund të paraqitet në zyrën rajonale të AKKP-së edhe nëpërmjet postës. Bashkë me kërkesën duhet të paraqitet dokumenti për të drejtën e pronësisë së kërkuesit mbi ndërtimin që gjendet brenda, ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, i lëshuar nga ZRPP-ja, gentplani i oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, i hartuar nga një topograf i licencuar, dokumenti me të dhënat për gjendjen juridike të oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, i lëshuar nga ZRPP-ja. Me anë të këtij dokumenti, provohet se oborri në përdorim është në pronësi të shtetit, ndonëse i paregjistruar, dhe se nuk bën pjesë në inventarin e pronave të paluajtshme të qeverisjes vendore. Me paraqitjen e kërkesës, pronari i ndërtesës duhet të paguajë edhe tarifën e shërbimit, niveli i së cilës përcaktohet nga ligji "Për taksat kombëtare".
Shqyrtimi i kërkesës
Me marrjen e kërkesës, zyra rajonale e AKKP-së shqyrton kërkesën e paraqitur brenda 30 ditëve nga data e regjistrimit të saj. Ajo verifikon dhe pohon nëse kërkesa dhe dokumentacioni shoqërues përmbushin kushtet e përcaktuara, si dhe saktëson kufijtë e oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet. Në përfundim, zyra qendrore njofton kërkuesin për të drejtën e tjetërsimit me shpërblim dhe detyrimin për të paguar brenda 30 ditëve, për llogari të AKKP-së, për fondin e kompensimit financiar, çmimin e tjetërsimit, duke i treguar edhe numrin e llogarisë. Ky njoftim përmban një paraqitje të kufijve, të sipërfaqes në m2 dhe të vendndodhjes së oborrit në përdorim, të shoqëruar me planimetrinë përkatëse. Në këtë rast, qeveria ka vendosur të përdorë tarifat që paguajnë edhe personat që kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe që janë objekt i ligjit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje. Kështu, kërkuesi do të paguajë tarifa fikse, që variojnë nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë të rinj, kjo në varësi të sipërfaqes që zë oborri që do të privatizohet. Pagesa bëhet jo më vonë se 30 ditë nga data e marrjes së njoftimit prej AKKP-së. Tjetërsimi i pronësisë bëhet edhe pa shpërblim, në rast se shtetëzimi i asaj sipërfaqeje ka qenë bërë më parë nga shteti pa vlerë monetare. Por, AKKP-ja mund të kthejë dhe përgjigje negative, në rastet kur nuk kanë qenë vërtetuar plotësimi i kushteve që përcakton ky vendim.