E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ofensiva në Helmand vetëm fillimi

Gjenerali i forcave të armatosura të SHBA-së, David Petraeus, theksoi se ofensiva e forcave ndërkombëtare në qytetin Marjah, në provincën Helmand, në jug të Afganistanit, është vetëm fillimi.

“Ky është vetëm operacioni fillestar i një fushate që do të zgjasë nga 12 deri 18 muaj, gjatë së cilit pritet që forcat e gjeneralit Stanley McChrystal, komandantit të forcave amerikane në Afganistan, ta kenë pastruar terrenin”, theksoi Petraeus.

ftuar në programin Meet the Press të kanalit televiziv NBC, zoti Petraeus tha se armiku është mjaft i vështirë. Ai nuk parashikoi se sa do të zgjaste operacioni në Marjah, një bazë tradicionale kjo për talebanët. Ai tha se luftimet ishin të ashpra.

“Kur jemi në mësymje dhe shkatërrojmë vendstrehimet e talebanëve dhe elementeve të tjera ekstremiste, ata do të kundërpërgjigjen. Kjo po shihet në Marjah dhe në disa zona të tjera”, shtoi ai.

Gjenerali foli nga Tampa e shtetit të Floridës, ku ai kryeson Komandën Qendrore Amerikane e cila është përgjegjëse për operacionet në Afganistan dhe Irak.

Ai përmendi vështirësitë me të cilat u përballën në Irak, kur ish-presidenti Xhorxh Bush dërgoi trupa shtesë. Gjeneralit amerikan ju shtrua përsëri pyetja nëse vendi duhet të përgatitet për humbje të mëdha në betejë.

“Do të jetë e vështirë, ishte e vështirë në Irak. E kam përsëritur disa herë se këto lloj përpjekjesh janë të vështira dhe janë të vështira gjithnjë. Nuk përdor fjalët optimizëm apo pesimizëm por jam realist. Realiteti është i vështirë, por ne jemi atje për një arsye tejet të rëndësishme dhe nuk mund ta harrojmë këtë”, tha Petraus.

Strategjia e administratës së presidentit Obama për Afganistanin mori një votëbesim të dielën nga gjenerali në pension Colin Powell, i cili shërbeu si sekretar shteti gjatë mandatit të parë të presidentit Bush.

Ai tha se ishte një plan i mirë dhe tërësor. Por në të njëjtën kohë ai pranoi shqetësimet nëse qeveria afgane do të jenë të gjendje të mbajë gjendjen nën kontroll pasi trupat e NATO-s të përzënë talebanët.

“Shpresoj që të rritet kapaciteti i tyre. Ushtria afgane është përmirësuar por ende jo deri tek standardet amerikane. Po ashtu edhe policia ka shumë për të bërë, ata ende nuk gëzojnë besimin e popullit.”

Ish gjenerali Powell u intervistua në programin Face the Nation të kanalit televiziv CBS.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›