E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oferta e re e Albtelekomit, “Flisni 1 orë, paguani 1 minutë”

16/01/2009  Abonimi në paketën e re deri më 15 prill

Tani një orë bisedë me numrat Albtelekom kushton sa një minutë. Albtelekom prezantoi dje për klientët një tjetër ofertë në shërbimin e telefonisë fikse. Oferta është për gjithë abonentët familjarë. “Duke nisur nga data 15 janar, për tre muaj me radhë, deri më datë 15 prill, të gjithë abonentët familjarë do të kenë mundësi të abonohen në paketën e re, “Flisni 60 minuta, paguani 1 minutë”. Deri më 15 prill të gjithë abonentët e Albtelekomit do të mund të përfitojnë nga paketa, vetëm duke u paraqitur pranë sporteleve të kompanisë sonë në të gjithë Shqipërinë”, - theksuan burimet e Albtelekomit. Përmes kësaj oferte, çdo abonent familjar i kompanisë do të përfitojë deri në një orë falas, duke paguar vetëm minutën e parë të thirrjes. Të gjithë abonentët që zgjedhin të jenë pjesë e paketës më të re do të mund të flasin deri në 60 minuta, kundrejt pagesës prej vetëm 15 lekë të reja. “Kompania vazhdon të mbajë premtimet për abonentët e saj në të gjithë Shqipërinë, për rritjen e cilësisë së shërbimit me çmime të leverdishme. Vetëm pak kohë më parë, kompania ka aplikuar tarifa të ulëta për të gjithë abonentët e saj, ndërkohë që do të vazhdojë të përmirësojë cilësinë e shërbimeve”, - thanë burimet. Drejtori i përgjithshëm i Albtelekomit, Mustafa Resit Akdogan, është shprehur pak kohë më parë se gjatë vitit 2009, kompania do të prezantojë oferta të reja dhe për telefoninë fikse, me çmime të leverdishme. Gjithashtu kompania ka prezantuar oferta me çmime shumë të leverdishme dhe për shërbimin e internetit me ADSL.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›