E Diel, 1 Nëntor 2026

Eugen Wollfarth: Koha që partitë politike të nisin dialogun për reformën zgjedhore

16-10-2011 / Gazeta 55

Apeli i ambasadorit të OSBE vjen pak ditë pas publikimit të progres – raportit të Komisionit Evropian

Kreu prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, gjatë një deklarate dje për mediat shprehet i shqetësuar për qëndrimin e partive politike, të cilat sipas tij, janë ende larg një dialogu. “Partitë duket se nuk po lëvizin nga llogoret e tyre”, deklaroi Wollfarth, dhe se “janë të përgatitura të rrinë në këto llogore”. “
Partitë politike duhet të përgatiten dhe të fillojnë dialogun për reformën e Kodit Zgjedhor, e cila duhet të nisë pa humbur kohë. Të gjithë e dëgjuam progres-raportin e Komisionit Evropian. Shpresojmë të ketë një efekt kthjellues, por ajo që vëmë re në këtë fazë është se partitë duket se nuk po lëvizin nga llogoret e tyre dhe se janë të përgatitura të rrinë në këto llogore. Kjo nuk është e mirë. Ato nuk duhet të sillen sikur të ishin në vitet 1914-1915, por të përgatiten për të ardhmen dhe të fillojnë reformat, midis të cilave është edhe reforma zgjedhore. Rregullorja e Kuvendit do të ishte një fillim shumë i mirë dhe ka pasur propozime lidhur me këtë. Propozimet kanë ardhur edhe nga Partia Socialiste në formën e një katalogu, i cili është i hapur dhe duhet të kontribuojë si bazë për atë dialog që nevojitet vërtet për ta përgatitur Shqipërinë për të ardhmen, për zhvillimin e kësaj shoqërie, për stabilizimin e institucioneve demokratike, të cilat zakonisht varen nga zgjedhjet e mira. Duhet të shohim zgjedhje akoma më të mira në të ardhmen. Ne kemi nevojë t’i shohim ato, populli shqiptar meriton t’i shohë”, u shpreh kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Wollfarth.
Pyetjes se cilat janë rrugët e mundshme  të cilat e zhbllokojnë ngërçin politik, ambasadori Wollfarth jep këtë përgjigje: “Dialog. Jo hedhje faji, por dialog. Palët duhet të fillojnë dialogun. Nuk ka rëndësi se në çfarë formati. Nuk ka rëndësi nëse bëhet në mënyrë private apo publike. Zakonisht, përgatitjet e mira fillojnë privatisht. Gjithashtu, duhet të ndërtohet besimi. Besimi duhet të zëvendësojë mosbesimin dhe ky besim është i nevojshëm për të ndërtuar të ardhmen e Shqipërisë. Unë kam besim për këtë dhe Prezenca e OSBE-së mbetet gjithashtu e gatshme të japë mbështetjen e saj. Unë kam besim se Shqipëria mund të përgatitet për të ardhmen, por hapat duhet të ndërmerren që tani, ora po ecën dhe kjo vlen edhe për reformën e Kodit Zgjedhor”, tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›